Basha në konferencë të jashtëzakonshme: Vjedhja e shekullit është Marrëveshja e Qeverisë me CEZ – akt kriminal

Shqipëria

Basha në konferencë të jashtëzakonshme: Vjedhja e shekullit është Marrëveshja e Qeverisë me CEZ – akt kriminal

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 09:50

Në prag të nisjes së seancës së fundit parlamentare për këtë sezon, kryetari i PD-së, Lulzim Basha sulmon qeverinë për marrëveshjen me CEZ, duke e cilësuar si një krim financiar me përmasa të papara. Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, shefi i opozitës tha se drafti që pritet të miratohet sot në Kuvend, ja faturon shqiptarëve vjedhjen e shekullit, përmes rritjes së çmimit të energjisë.

“Marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ është vepër kriminale me autorësi të plotë të qeverisë Rama. Qeveria ka paraqitur një draft ligjesh me 5 nene të shoqëruar në një relacion të mbushur me gënjeshtra dhe qëndrime të kundërta me interesat e shqiptarëve. Ajo që pritet të ndodhë sot është një krim financiar i përmasave të papara e të padëgjuara. Vlera që i falet CEZ është 3 miliardë dollarë.”- deklaroi Basha.

Sipas Bashës, marrëveshja me CEZ mund të konsiderohet si një vjedhje 600 herë më e madhe se ajo që u bë në Thesarin e Bankës së Shqipërisë. Ai theksoi se “opozita është e vendosur të nxjerrë në pah të vërtetën e kësaj afere të turpshme e cila do tu kushtojë shtrenjtë shqiptarëve, sot dhe në të ardhmen”.

“Raportet do t’i bëhen sot publike qytetarëve shqiptarë, përmes mediave dhe internetit ku thuhet se Shqipërisë CEZ i detyrohet një shumë deri në 3 miliardë dollarë. Thuhet se paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet, paratë e mbledhura nuk ishin investuar por ishin transferuar në parajsa fiskale nga kompanitë e kontraktuara nga CEZ. Heqja e licencave nga enti rregullator i energjisë ishte i drejtë. CEZ me dashje shkatërroi kompaninë. Qeveria i mban të fshehura këto raporte dhe për më tepër sajon fakte dhe trillime të paqena për të manipuluar opinionin publik, por dielli nuk mbulohet me shoshë.”- u shpreh Basha.

Kryetari i PD-së u bën thirrje të gjithë deputetëve që të mos e votojnë sot marrëveshjen me CEZ-in, por të kërkojnë informacion dhe përgjegjësi për atë që e cilëson si vjedhjen më të madhe që po u bëhet shqiptarëve.

“Refuzoni mungesën e transparencës dhe përgjegjshmërisë që qeveria ka treguar ndaj jush duke fshehur faktet. Mos u bëni pjesë në këtë vjedhje e cila nëse realizohet ju bën bashkëpërgjegjës. Vjedhja në volumin e saj është 600 herë më e madhe se sa vjedhja e raportuar në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Ngrihuni në lartësinë e detyrës tuaj, kërkoni informacion, kërkoni përgjegjësi.”- u shpreh Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat