Seanca e fundit, mazhoranca voton ligjet me 84 vota e merr pushimet

Shqipëria

Seanca e fundit, mazhoranca voton ligjet me 84 vota e merr pushimet

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 09:18

Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë sot seancën e fundit plenare, për këtë session parlamentar. Pa praninë e opozitës, e cila ka njoftuar prej kohësh bojkotin, mazhoranca pritet të votojë ligjet me shumicë të cilësuar. Pas mungesës në votim për ligjet me 84 vota, precedent që krijoj gjithë zhurmën mediatike për përçarje në PS, mazhoranca është konsoliduar dhe gati të votojë këto ligje.
Por edhe pse nuk kërkon shumicë të cilësuar, ligji për policinë për shkak të problemit që ka dalë me shkrirjen e gardës, pritet të vendoset sot. Nga lista e gjatë me 23 ligje që do të diskutohen sot në seancë, gjashtë janë ligjet që kërkojnë 84 vota.

Projektligji për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të përbëjë edhe një herë fokusin e diskutimeve në një kohë kur qeveria e ka cilësuar si prioritet reformën në drejtësi. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço do të shpreh edhe një herë rezervat që ka për drejtësinë në Shqipëri dhe ndërhyrjet që duhen bërë në KLD. Edhe dy ndryshimet që janë bërë në Kodin e Procedurën Penale do të kërkojnë votim me 84 vota të deputetëve të majtë. Relatorja për këtë çështje, Vasilika Hysi ka kërkuar seancën e një jave më parë, miratimin e këtyre ndryshimeve pasi kanë ndikim të drejtëpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Edhe miratimi i organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të ILDKPI-së, kërkon shumicë të cilësuar.

Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, ndryshimi i strukturës pritet të marrë edhe votat e parlamentit. Organika dhe funksionimi i Gjykatës Administrative bën pjesë në ligjet që u shty për në seancën e sotme për shkak të mungesës së numrit të votave nga seanca e shkuar. Dy ligjet e fundit që do të kërkojnë shumicë të cilësuar janë për Kodin Doganor dhe dhënie amnistie. Pjerin Ndreu, Tom Doshi dhe Armando Prenga kanë deklaruar se do të jenë në seancë dhe do të votojnë të gjitha ligjet, ndërkohë që edhe pse nuk janë shprehur publikisht edhe deputetët e tjerë të PS që munguan të enjten e kaluar kanë konfirmuar pjesmarrjen.

Vendimi i kryeministrit Rama për të zhvilluar mbledhjen e grupit të partisë socialiste një ditë përpara zhvillimit të seancës plenare nuk ka qenë rastësor. Mesazhi për deputetët e majtë dje në mbledhjen e grupit ishte i qartë. Mazhoranca duhet të jetë e bashkuar, votimi duhet të jetë unanim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat