​Paditet nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa

Shqipëria

​Paditet nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 00:19

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një Kallëzim Penal për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të AKKP-së, Elvis Çefa, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ai akuzohet për konsumim të veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Kallëzim Penal është bërë edhe për shtetasin Shefqet Preza, përfaqësues i trashëgimtarëve të familjes Preza, për konsumimin e veprës penale, falsifikim të dokumenteve.

Sipas njoftimit për shtyp ish-Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Çefa, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tij ka shkelur ligjin në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke sjellë pasoja negative për shtetin dhe duke i hapur rrugë abuzimit me pronën shtetërore.

Parashikohet se sipërfaqja e njohur, e bazuar në dokument të falsifikuara, të jetë 2000 ha dhe përllogaritet me një vlerë të përafërt 100 milion euro.

Sipas padisë, konstatohet se ish-Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ka patur dijeni për veprimet e realizuara nga subjektet e interesuara, përmes falsifikimit dhe mashtrimit në dëm të pasurive shtetërore, duke shumëfishuar sipërfaqet e njohura për familjen Preza.

Pas këtij kallëzimi reagoi edhe Elvis Cefa, ish-drejtuesi i AKKP-së. Ai thotë në deklaratë se gjatë viteve 2009-2012 që ka drejtuar agjencinë nuk ka dhënë asnjë vendim në favor të subjektit në fjalë.

“Këtë akuzë, që në fakt ishte e pritshme, referuar zhvillimeve të fundit, e konsideroj një sulm për shkak të detyrës që aktualisht mbaj, sulm i cili vërteton më së miri qëllimin e vërtetë të “reformës” në sistemin e drejtësisë, e cila tashmë po synon “eliminimin e kokave” në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, deklaron nënkryetari i KLD-së.

“Kjo akuzë -shton ai, më forcon bindjen dhe më shton edhe më tepër vullnetin për të bërë maksimumin në garantimin e plotësimit të detyrimeve të mija kushtetuese që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të jetë i pavarur nga politika”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat