Vjedhja e Bankës, Fullani: Do zbardhim të vërtetën

Shqipëria

Vjedhja e Bankës, Fullani: Do zbardhim të vërtetën

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 23:20

Në Shqipëri guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha sot se institucioni që ai drejton do t’i shkojë deri në fund zbardhjes të së vërtetës mbi vjedhjen e kryer nga punonjës të saj e cila kap shumën e afër 7 milion dollarësh. Zoti Fullani ishte thirrur sot për këtë cështje edhe në komisionin e Ekonomisë, kryetari i së cilës Erion Brace kerkoi një hetim sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës nga ana e prokurorisë. Zoti Brace tha se ngjarja ka cënuar rëndë imazhin e vetë Bankës.

Në daljen e tij të parë publike pas zbulimit të vjedhjes disa milionëshe në Bankën e Shqipërisë, guvernatori Ardian Fullani ju përmbajt deklaratës së lëshuar mbrëmë ku garantohej se procedurat e kontrollit dhe verifikimit janë të standarteve ndërkombëtare: “Infrastruktura teknologjike garanton monitorimin në kohë dhe të vazhdhueshëm të ambienteve. Inventarizimi dhe kontrollet periodike janë kryer në vazhdimësi”.

Megjithatë mbetet e paqartë se si, në kushte të tilla, punonjës të Bankës, të paktën sipas rrëfimeve që mësohet të kenë bërë në polici, kanë mundur të vjedhin periodikisht për disa vjet dhe as teknologjia e as kontrollet dhe auditet financiare nuk i identifikuan në kohë. Sipas guvernatorit Fullani, pjesa që ka dështuar ka qenë ajo njerëzore. Guvernatori tha se Banka është e vendosur ti shkojë deri në fund kësaj ngjarjeje

Clip “duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse të gjithësecilit në bashkëpunim të ngushtë me organet përkatëse. Rezervat e parasë cash, që quhet në popull thesari, të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në mjediset e sigurisë së lartë nuk janë prekur”.

Për një tolerancë zero ndaj cdo përgjegjësi për ngjarjen foli sot edhe kryetari i komisionit të Ekonomisë Erion Brace, në përfundim të një seance me dyer të mbyllura me zotin Fullan: “Me këtë ngjarje është cenuar rëndë imazhi i Bankës së Shqipërisë dhe i Shtetit Shqiptar. Kemi kërkuar tolerancë zero për këdo që është përfshirë në këtë veprimtari kriminale brenda BSH, duke nisur nga Guvernatori deri te zyrtari i fundit i Bankës së Shqipërisë përgjegjës në të gjithë atë zinxhir të kontrollit dhe inventarizimit të vlerave monetare”.

Mbi ngjarjen kanë nisur edhe hetimet e prokurorisë të cilat duket se deri tani kanë qenë të kufizuara. Pikërisht për këtë zoti Brace kërkoi një angazhim më të madh në hetim: “Kërkoj që prokuroria të përfshijë më shumë njerëz në këtë hetim dhe hetimi të jetë gjithëpërfshirës”.

Zoti Brace tha se do të jetë e nevojshme një reformë e plotë e të gjitha aspekteve të BSH përfshirë edhe rekrutimin e personelit, mbikqyrjen dhe reformimin e gjithë sistemit të kontrollit brenda Bankës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat