Rikthimi i rrezikut të shkrirjes së Gardës së Republikës

Shqipëria

Rikthimi i rrezikut të shkrirjes së Gardës së Republikës

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 20:18

Ligji për Policinë e Shtetit dhe rikthimi i rrezikut të shkrirjes së Gardës së Republikës kanë ngjallur debate në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Deputetët i tremben idesë së prezantimit të një amendamenti, gjatë seancës plenare, që ta rikthejë draftin në variantin e parashikuar nga qeveria.

Edi Rama qëndroi vetëm 30 minuta në mbledhjen e grupit të tij parlamentar. Pas largimit të kryetarit socialist, deputetët vazhduan diskutimet për më shumë se një tjetër orë. Ligji i Policisë dhe rikthimi i rrezikut të shkrirjes së Gardës së Republikës ishin çështjet që ngjallën më shumë debat. Ndryshe nga varianti i votuar në Komisionin e Sigurisë, nuk përjashtohet që mazhoranca të paraqesë në sallë plenare një amendament që shkrin Gardën e Republikës brenda Policisë së Shtetit, por rregullon funksionimin e saj me një ligj më vetë.
Një sinjal erdhi nga mbledhja e Komisionit të Sigurisë, ku kryetari Braho i LSI-së, votoi kundër variantit që ruante Gardën nga shkrirja, duke kaluar në favor të kërkesës së ministrit të Brendshëm Tahiri, pas një takimi që zhvilloi me të kur e priti në zyrë përpara mbledhjes.
Për të kënaqur të gjitha sensibilitetet, duket se zgjidhja mund të jetë ajo e një ligji për Gardën brenda një tjetër ligji, atij për Policinë. Një formulë jo fort e pëlqyeshme nga juristët por të cilës nuk i mungojnë precedentët në jurisprudencën shqiptare.
Ligji për Policinë nuk kërkon një shumicë të cilësuar dhe drafti mund të miratohet të enjten edhe votat kundër të një pjesë të deputetëve të shumicës. Nëse do të vendoset që të mos shfaqet imazhi i një mazhorance të përçarë, nuk përjashtohet që ligji të shtyhet për në shtator.
I pakënaqur nga grupi i PS-së u largua edhe minoritari Andrea Marto, që i përket PBDNJ-së së Vangjel Dules. Kërkesat e tij për reformën territoriale duket se nuk janë pranuar. Për të përshkruar situatën, Marto foli për dhimbje koke, por nuk preferoi të komentojë përpara kamerave duke theksuar se qëndrimin do ta shprehë në Parlament.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat