Basha: Rama e ka shndërruar qeverisjen ne agjenci reklamash

Shqipëria

Basha: Rama e ka shndërruar qeverisjen ne agjenci reklamash

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 12:55

Partia Demokratike ka vënë votën e lirë, në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës. Vetë kryetari Lulzim Basha ka ushtruar të drejtën e tij të votës në zgjedhjet për kryetar të grup-seksionit nr.3, në degën nr.8, ku është i regjistruar si anëtar partie. Ndërsa ka hedhur votën e tij, Basha ka kujtuar se në këtë proces, të gjithë anëtarët e PD janë aksionerë të barabartë në këtë parti, të gjithë kanë vetëm një votë dhe vendimmarrja në PD do të jetë përmes votës.

Zgjedhjet në Tiranë kanë hyrë në fazën përmbyllëse me zgjedhjet për kryetar dege. PD në Tiranë ka një riorganizim të ri. Ajo nuk do të ketë më një degë të vetme por 11 të tilla që përkojnë me 11 njësitë bashkiake.

“Duke bërë këtë riorganizim të Partisë Demokratike në Tiranë në 11 degë, ka për qëllim për të qenë më afër anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, për të qenë më afër qytetarëve, për t’i marrë vendimet tona të brendshme politike sa më afër anëtarësisë tonë, me sa më shumë përfshirje të anëtarësisë tonë, se pushtetin për vendimmarrje në Partinë Demokratike, dita-ditës po e afrojmë dhe po ua delegojmë anëtarëve të PD-së“ - theksoi Basha.

Degët 3, 6 dhe 13 kanë hapur dhe siparin e zgjedhjeve për kryetar në Tiranë. Basha ka theksuar se PD ka vendosur standarde të reja, përsa i përket organizimit dhe funksionimit të partive politike, jo vetëm në Shqipëri. Kjo parti ka sot një regjistër të anëtarësisë të dixhitalizuar, sikundër ka vënë votën në themel të organizimit dhe të karrierës në këtë parti.

Në fjalën e tij, zoti Basha u ndal dhe në krizën ekonomike që ka përfshirë vendin. “Në këto 300 ditë, - tha Basha - “Rilindja” e famshme e Edi Ramës rezultoi një parullë propagandistike që nuk ka sjellë asgjë të mirë për qytetarët”.

“Sot, asnjë premtim i tyre, asnjë i vetëm, jo vetëm që nuk është mbajtur por nuk është as në rrugën e mbajtjes. I plasi një tullumbace elektorale, i mashtrimeve për legalizim falas e për shëndetësi falas, për 300 mijë vende pune e për ulje çmimesh përmes heqjes së taksave e përmes heqjes së TVSH-së për energjinë. Papunësia rritet, borxhet rriten, taksat rriten, ekonomia bie, bizneset mbyllen, mjeshtrat e propagandës krihen me iluzionin e fanarit ndriçues. Investimi kryesori i tyre, siç e shihni janë reklamat, qeverisja e këtij vendi është shndërruar në agjenci reklamash” - deklaroi kreu i PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat