Gjëja më e bukur në Shqipëri janë shqiptarët

Shqipëria

Gjëja më e bukur në Shqipëri janë shqiptarët

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 12:08

E përditshmja italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, mes kujtimeve veneciane dhe turke, plazheve mikpritëse dhe njerëzve bujarë. Një vend për tu zbuluar

Gjëja më e bukur në Shqipëri janë shqiptarët. Nëse vërtet dëshironi të njihni “Tokën e Shqiponjave”, shoqërohuni me ta. Shmangni udhëtimet e organizuara, vizitojeni “on the road”... Zbulojini më këmbë lagjet e këndshme të Tiranës. Levizni me autobusë dhe furgona (pjesë e sistemit të tyre origjinal të transportit) – që nuk ka stacione e ndalesa, por që të çon gjithmonë aty ku dëshiron të shkosh – për të arritur qytetet më të afërta me Tiranën. E kur është puna të shkoni në jug apo zona të tjera më të largëta, të tilla si plazhet e bukura dhe ende pak të frekuentuara mes Vlorës dhe Sarandës, atëherë merrni me qira një makinë. Lëreni veten të udhëhiqeni nga guida e tyre e improvizuar, për të zbuluar vendet të mrekullueshme kulturore e arkeologjike: Nga Shkodra në Butrint, nga Berati në Gjirokastër. Nëse ju doni ta shijoni Shqipërinë përkedheluni nga mikpritja e ngrohtë e atij populli, shijojeni mirësinë që ju përshëndet në rrugë, në çdo hotel, restorant apo kafe; dëgjojini tregimet e më të moshuarve për tragjeditë e shkaktuara nga konfliktet etnike dhe nga diktatura komuniste në shekullin e kaluar; bashkëveproni me ëndrrat dhe dëshirën ngjitëse që të rinjtë kanë për ta bërë më të mirë vendin e tyre.

Tiranë

Ndalesa e parë Tirana, kryeqyteti i ndarë – si pjesa tjetër e vendit – mes dëshirës për perëndimin dhe ruajtjes së identitetit të tyre. Bëni shëtitje përgjatë Bulevardit të stilit perandorak të ndërtuar gjatë pushtimit italian mes viteve ’30 – ‘40. Kënaquni, sidomos në fundjavë kur ka pak trafik: Sheshi “Skënderbej” dhe ndërtesat koloniale që e rrethojnë atë, lëndina e madhe ku Hoxha ngriti shtatoren e tij të bronzit, e shkatërruar më pas nga turma, dhe vendi ku qëndron Heroi Kombëtar “Skënderbeu”, ose ndryshe Gjergj Kastrioti, i biri i një princi shqiptar i cili arriti për 13 herë rradhazi, në mes të 1443 dhe 1468, të zmbrapste në Krujën e tij ushtrinë otomane. Vizitoni xhaminë e bukur të Et’hem Beut, e vetmja që i ka shpëtuar egersisë së regjimit anti- fetar (për shkak se ajo është konsideruar një monument kombëtar), që e shpalli Shqipërinë të parin shtet ateist në botë.

Shkodra, Kruja

Nga Tirana në Shkodrën e lashtë (dy orë me autobus, 200 lekw 1,5 €), ndoshta më italiani nga qytetet shqiptare, me shtëpitë e tij veneciane që zbukurojnë rrugën e bukur kryesore të këmbësorëve në qytetin e vjetër dhe muzeun e Pjetër Marubit, artistit patriot të Garibaldit nga Piacenza, i cili u largua për në Shqipëri, ndryshoi emrin e tij (Pjetër Marubi), themeloi studion e parë fotografike në vend e që bëri 150 mijë shkrepje duke fiksuar në celuloid Shqipërinë me të gjitha bukuritë e saj. Gjithashtu një vizitë e meriton edhe Kruja, qyteti i Skënderbeut, sidomos për pazarin në “kasollet” përgjatë rrugës së lashtë me kalldrëm të kalasë dhe Muzeut Etnografik të vendosur në një shtëpi të bukur osmane të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Berati

Është koha për të marrë me qira një makinë (30-35 euro në ditë) drejt jugut, duke bërë kujdes e duke i mbajtur sytë hapur gjatë udhëtimit në rrugët e vështira të Shqipërisë . Mu në gjysmë të rrugës shtrihet Berati i bukur, pjesë e Trashëgimisë Botërore për shtëpitë e tij të bardha dhe piktoreske osmane. Është “qyteti i njëmijë dritareve”, që në anën e malit duket sikur vështrojnë udhëtarin që vjen aty. Është edhe qyteti ku mund të vlerësohet më mirë bashkëjetesa paqësore fetare e popullit të Shqipërisë.

Përtej urës së këmbësorëve që daton në shekullin e tetëmbëdhjetë mbi lumin Osum, gjendet lagjia e krishterë Kala, me kishat dhe kapelat e saj të krishtera, disa prej të cilave datojnë që nga shekulli XIII. Në këtë anë është dhe Mangalemi, lagjia e antike muslimane e rrethuar nga minaret e xhamive, mes të cilave edhe xhamia e Sulltanit që daton në shekullin e gjashtëmbëdhjetë një nga më të vjetrat në Shqipëri. Këtu, ashtu si në Shkodër, shumë ndërtesa fetare u shpëtuan nga diktatura, sepse krerët e qytetit shkatërruan kullat dhe minaret për të mbështetur idenë se ato nuk ishin më vende kulti, por thjesht muze dhe depo. Në krye të kodrës është Kalaja, një kompleks i shekullit të katërmbëdhjetë ku ka ende banorë, me muret e saj masive, rrugët me kalldrëm prej guri të bardhë dhe eshtrat e disa prej kishave të bukura të epokës bizantine.

Gjirokastra

Nga Berati shkojmë në Gjirokatër, në “qytetin e gurit” si e përshkruan Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur shqiptar, që është edhe vendlindja e Enver Hoxhës, me kështjellat e tij “imponuese”dhe kulmet e tyre, sidomos me 600 shtëpitë monumentale osmane të “kapura” në kodër.

Butrinti

Dhe pas Gjirokastër, poshtë deri në Butrintin e mahnitshëm, në kufi me Greqinë. Vendi arkeologjik mbi kodrën e Butrintit, i rrethuar nga laguna dhe Kanali i Vivarit që e ndan atë nga ishulli i Korfuzit, doli në dritë pas shekujsh harrese nga arkeologët italiane të kryesuar nga Luigi Maria Ugolini, në vitet tridhjetë. Këtu një tjetër guidë e improvizuar ku e reja Dafinë të drejton për të zbuluar vendbanimet e lashta të ilirëve, muret masive të qytetit, dyert e ndërtuara nga grekët në shekullin e katërt para Krishtit, eshtrat e teatrit, banjot dhe vilat romake, kolonat e pagëzimores dhe harqet e bazilikës bizantine. Për të mos u humbur.

Bregu i Jugut

Në pikën fundore të Jugut gjendet Ksamili i bukur, me tre ishujt e tij që arrihen lehtësisht me not, ndërsa Korfuzi nderet aty, pak më tutje. Pastaj, duke shkuar në veri përgjatë rrugës së bregut, shfaqen plazhet e shkëlqyera të Porto Palermos, Himarës, Jalës, Dhërmiut, dhe mbi të gjitha Drymades. Vend i magjishëm, me zallin e bardhë të plazhit dhe detin blu transparent. Gjithsesi, ndërsa kthehesh në Tiranë, duke u hedhur një shikim të fundit bunkerëve më të cilët Hoxha donte të zmbrapste sulmin e Perëndimit kapitalist, mes një qerreje të tërhequr nga një gomar dhe një tufë dhish që kalojnë në autostradë, ndjen që ky udhëtim në Shqipëri, mbetet një eksperiencë e një bukurie të papritur, në mes të detit dhe maleve, historisë dhe natyrës, ushqimit dhe kulturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat