Komisioni i Vëzhguesve Vendorë: Partitë të ulen së bashku për territorialen

Shqipëria

Komisioni i Vëzhguesve Vendorë: Partitë të ulen së bashku për territorialen

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 20:40

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) ka ndjekur me vëmendje situatën politike, duke ftuar dhe nxitur partitë politike që të gjejnë forcën për t’u ulur së bashku, me qëllim krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, e nevojshme për ndërmarrjen e reformave.

Në një deklaratë për mediat, KVV shprehu bindjen se partitë kryesore politike i kanë të gjitha mundësitë për të treguar maturinë e tyre për një miratim me konsensus të reformës administrativo-territoriale dhe më pas edhe të reformave të tjerave të nevojshme për bërjen sa më efikase të saj, siç janë ajo zgjedhore dhe ajo e decentralizimit, të cilat duhet të fillojnë menjëherë në shtator me nisjen e sesionit të tretë të kësaj legjislature.

Në përputhje me qëndrimet e mëparshme, KVV-ja risolli në vëmendje domosdoshmërinë e ndërmarrjes sa më parë të Reformës Zgjedhore, jo vetëm për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, të vëzhguesve vendas apo edhe të aktorëve të tjerë, por edhe si një domosdoshmëri për rregullimin e një përfaqësimi sa më të mirë të shtetasve në organet e qeverisjes së njësive të reja vendore, si dhe rritjes së efikasitetit të tyre në dobi të qytetarëve.

Ndarja e re administrativo-territoriale që pritet të miratohet, parashikon zvogëlimin rreth gjashtë herë të numrit të njësive vendore, që do të thotë njësi gjeografike më të mëdha për t’u administruar, popullsi më të mëdha për t’u qeverisur, por edhe rritje e distancës së përfaqësimit të drejtpërdrejtë të këshilltarëve të NJQV-ve nga shtetasit votues.

Koalicioni sjell në vëmendje nevoën e rishikimit të mekanizmit aktual të kodit zgjedhor për mënyrën e zgjedhjes së organeve të pushtetit lokal, konkretisht të zgjedhjes së tyre në mënyrë nominale (me lista të hapura), të drejtpërdrejtë dhe nga të gjithë shtetasit e regjistruar si banorë të këtyre njësive.

Në këtë linjë, Koalicioni nxit mazhorancën dhe Qeverinë që, në përputhje edhe me premtimet elektorale të para një viti, të përkushtohet për të siguruar votimin e emigrantëve në vendet ku ata jetojnë, jo vetëm për zgjedhjet parlamentare, por edhe për ato lokale të vitit të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat