Festa e Fitër Bajramit

Shqipëria

Festa e Fitër Bajramit

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 21:31

Pas 30 ditëve agjërim, lutje, adhurime, besimtarët muslimanë shqiptarë, dhe ata në mbarë botën, do të festojnë ditën e hënë festën e Fitër Bajramit.

“Bajrami është dita e besimit të brengave, dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë”, u shpreh Skënder Bruçaj, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar.

Ndërkohë, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, deklaroi se falja e namazit të Fitër Bajramit, edhe këtë vit, do të bëhet aty ku është falur gjithmonë, gjatë këtyre viteve të fundit.

“Duke filluar nga Ura e Lanës, deri në lulishten e sheshit ‘Skënderbej’. Gjithashtu, vend faljeje për zonjat besimtare do të jetë segmenti fundor i rrugës ‘Myslym Shyri’. Duhet theksuar se vendi i faljes së Bajramit do të jetë vetëm në bulevard, duke lënë të lira trotuaret dhe hapësirat e gjelbërta”, theksoi Ylli Gurra, Myfti i Tiranës.

Myftiu Gurra theksoi gjithashtu se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë marrë disa masa për mbarëvajtjen e faljes së namazit të Bajramit.

“Gjatë orëve të natës, duke nisur nga mesnata e deri në 08:00 të mëngjesit të së hënës, 28 Korrik 2014, do të ketë kufizim të lëvizjes së mjeteve në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, si dhe në pjesën jugore të sheshit ‘Skënderbej’. Trotuaret do të jenë të lira për lëvizjen e qytetarëve përgjatë gjithë gjatësisë së tyre, duke u kufizuar vetëm në vendin e faljes së besimtarëve. Sipërfaqja që do të përdoret për faljen do të jetë e shtruar me një material të posaçëm tekstil, kështu që nuk do të jetë e nevojshme për besimtarët dhe qytetarët, që të marrin me vete mjete rrethanore”, deklaroi Myftiu Ylli Gurra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat