Berisha: 300 ditë pushime në punët publike, s’u ndërtua asgjë

Shqipëria

Berisha: 300 ditë pushime në punët publike, s’u ndërtua asgjë

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 14:34

Ish-Kryeministri Sali Berisha, ka komentuar 300 ditët e para në punët publike.

Ai ka thënë se janë bërë 300 ditë pushime në punët publike, duke shtuar se në 300 ditë nuk është ndërtuar apo mirëmbajtur asnjë kilometër rrugë, ujësjellës apo kanalizim.

“Të dashur miq, dje Edi Rama dhe zëdhënësi i tij për transportin nuk ishin në gjendje t'u tregonin shqiptarëve as dhe një km rrugë apo metër urë të ndërtuar apo mirëmbajtur në mbarë vendin. Në 300 ditë qeveria Rama- Meta jo vetëm që nuk nisi një projekt të ri rruge por ata, megjithëse kishin të gjitha fondet, nuk përfunduan dot 6 km rrugë Memaliaj -Tepelenë, ndonëse traseja e saj 300 ditë më parë ishte hapur në të gjithë gjatësinë e saj. Në 300 ditë qeveria e sukseseve imagjinare nuk përfundoi dot rrugët në përfundim e sipër si Lushnje - Berat, Butrint - Sarandë, Krumë - Has. Për të mos folur për bypassin e Fierit, rrugën Qukës- Qafë Plloçcë, për të cilat fondet ishin gati. Rama, në shkurt vizitoi punimet në rrugën Qafë Thanë - Pogradec dhe u zotua se rruga do përfundonte para sezonit, ndërkohë punimet kanë mbetur aty ku ishin”, shkruan Berisha në profilin e tij në Facebook.

Ai shkon më tej duke thënë se në 300 ditë janë zhdukur nga fjalori i qeverisë dhe mediave rruga e Arbrit, për të cilin u la i gatshëm koncesioni, boshti i jugut që ishte në ndërtim e sipër.

Sipas tij, këto 300 ditë nuk kanë mirëmbajtur asnjë kilometër rrugë, gjë të cilën e shpallën me të madhe si përparësi madhore.

Berisha shprehet se nuk është vendosur asnjë sinjalistikë, nuk është vijëzuar asnjë kilometër rruge, ndërsa shton se disa qindra metra anësore të vendosura në rrugën Plepa- Golem janë në gjysmën e lartësisë së duhur dhe flasin bukur për korrupsionin e tyre.

Ai e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se, “Në të vërtetë kanë disbursuar fonde por ju kanë marrë firmave 15 % ndaj dhe ato nuk pyesin as për Ramën e as për Metn. Këto 300 ditë pushime të plota qeveritare në punët publike nuk u ndërtua asnjë ujësjellës, kanalizim, impiant i ujërave të ndotura, të ri por as dhe nga ato që ishin në ndërtim e sipër. Këto ishin jo të gjitha por disa nga "sukseset" e qeverisë Rama - Meta. Për 300 ditët që vijnë premtuan trenin elektrik!!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat