Ndarja e re e Shqipërisë zgjon Greqinë, Venizellos telefonon Bushatin, pret Dulen nesër në Athinë

Shqipëria

Ndarja e re e Shqipërisë zgjon Greqinë, Venizellos telefonon Bushatin, pret Dulen nesër në Athinë

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 17:20

Zv.Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule do të pritet nesër në Athinë nga Zv.Kryeministri grek Evangjelos Venizellos lidhur me ndarjen e re administrative të Shqipërisë, që ka shqetësuar pakicat kombëtare greke.

Ky takim është paraprirë nga një bisedë telefonike që Venizelos ka zhvilluar sot me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatin.

Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë, kjo bisedë ka pasur në fokus ristrukturimin e vazhdueshëm administrativ të Shqipërisë, i cili ndryshon entitetet lokale administrative në rajonet me rëndësi të veçantë për pakicat kombëtare greke.

Biseda e sotme është në vazhdim të një letre që Venizelos i ka dërguar Bushatit më 10 qershor krahas shumë negociatave diplomatike për këtë çështje. Venizelos ka theksuar se sa kritike dhe e ndjeshme është kjo çështje dhe tashmë lind nevoja për të ecur përpara me zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura midis dy vendeve, pa shtuar çështje të reja.

Venizelos, bën të ditur më tej ministria greke, ka vënë në dukje gjithashtu për këto çështje duhet të ndiqen praktikat evropiane, veçanërisht tani që Shqipëria, që ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ka obligime shtesë.

Bushati: Eshtë çështje jona e brendshme, respekton parimet europiane
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, shqetësimit të homologut grek Venizellos i është përgjigjur se reforma është një çështje të brendshme, e cila është zhvilluar konform parimeve europiane.

“Kjo është një çështje e brendshme,” – është shprehur Bushati, – “një reformë e rëndësishme dhe e nevojshme, që është diskutuar gjatë në Kuvendin e Shqipërisë dhe është trajtuar nga një komision i posaçëm parlamentar.

Reforma administrative-territoriale ka si synim kryesor, rritjen e funksionalitetit të njesive vendore dhe rritjes së kapaciteteve dhe burimeve te tyre financiare në interesin e të gjithë qytetarëve, në respekt të parimeve dhe standarteve europiane.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat