Ligji për FA, Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Nishanit

Shqipëria

Ligji për FA, Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Nishanit

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 14:20

Kanë mjaftuar votat e mazhorancës për të rrëzuar dekretin e presidentit Bujar Nishani, për kthimin në Kuvend të ligjit 64/2014 ‘Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë, deputetët socialistë votuan kundër kthimit në Kuvend të ligjit për pushtetet dhe autoritetet e Forcave të Armatosura.

Disa ditë më parë, Bujar Nishani, theksoi se ligji parashikon kalimin e kompetencave për miratimin e strukturës organizative dhe planit të përhapjes dhe vendosjes të Forcave të Armatosura nga Presidenti tek Kryeministri.

Sipas tij, “ky ligj, sjell ndryshime të cilat kanë pasoja kritike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, si dhe në balancën e ndarjes së pushteteve midis Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit, si dhe autoriteteve të tjerë të përcaktuara në ligj.”

Por kryetari i komisionit, Spartak Braho deklaroi se argumentet e Presidentit për kthimin e ligjit nuk janë të bazuara në ligj.

Deputeti socialist Pirro Lutaj tha gjithashtu se argumentet e Nishanit nuk qëndrojnë, pasi ligji nuk i prek kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat