Magjistratura, forcohen kriteret e emërimeve

Shqipëria

Magjistratura, forcohen kriteret e emërimeve

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 10:00

Komisioni Ligjeve miratoi sot projektligjin e propozuar nga 10 deputetët e mazhorancës për disa ndryshime në ligjin për “Shkollën e Magjistraturës”. Ligji i propozuar nga deputetët e majtë kërkonte: modernizimin e ligjit për shkollën e magjistraturës duke e përshtatur atë me kërkesat e kohës, rritjen e transparencës për emërimet në këtë shkollë, si dhe forcimin e kritereve të emërimit.

Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë ndër të tjera reformim e përbërjes së Këshillit Drejtues të Shkollës, nga dy që është aktualisht, në katër anëtarë.

Një tjetër amendim në ligj lidhet me mënyrën e caktimit të përfaqësuesve të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë në Këshillin Drejtues të Shkollës, duke synuar rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në procedurat përzgjedhëse.

Një tjetër risi e ligjit lidhet me rritjen e transparencës në përzgjedhjen e përfaqësuesve të trupës gjyqësore në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Kjo e drejtë, që aktualisht i njihet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me ligjin e ri do t’i transferohet Konferencës Kombëtare Gjyqësore.

Përzgjedhja e drejtuesit të këtij institucioni gjithashtu do të ndryshojë. Aktualisht përzgjedhja bëhet nga KLD, me propozim të Këshillit Drejtues, ndërkohë që me ligjin e ri përzgjedhja e drejtuesit të kryhet nëpërmjet votimit të hapur nga ana e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Shkollës.

Gjithashtu pedagogët e brendshëm dhe të jashtëm të shkollës, do të emërohen nga Këshilli Drejtues, me propozim jo vetëm të drejtorit (sikurse parashikohet aktualisht), por dhe me propozim të vetë Këshillit Drejtues.

Një tjetër propozim i deputetëve, lidhet me pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës, konkursi për të cilat u propozua të shtyhet në vitin 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat