Kokëdhima: Reforma territoriale përmirëson qeverisjen dhe jetën e minoriteteve

Shqipëria

Kokëdhima: Reforma territoriale përmirëson qeverisjen dhe jetën e minoriteteve

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 09:02

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, me anë të një deklarate, thekson rëndësinë e reformës territoriale-administrative për qeverisjen vendore.

"Reforma territoriale ka një rëndësi shumë të madhe. Ajo do ta shpëtojë popullin e Shqipërisë nga kjo situatë shumë e keqe e qeverisjes vendore", ka deklaruar deputeti Kokëdhima.

Ai e ka quajtur normale tensionimin e situatës, për shkak të përplasjes së interesave dhe ambicieve etnike dhe fetare. Njëherësh, deputeti socialist vlerëson identitetin historik dhe kulturor të Himarës, duke mirëkuptuar shqetësimin e himariotëve ndaj reformës dhe duke theksuar se pas reformës, "himariotët do të ndihen më pak të provokuar".

Po ashtu, Kokëdhima bën thirrje për vazhdimin e punës nga ana e ministrit të Shtetit dhe Çështjeve Vendore për të negociuar për gjetjen e një zgjidhjeje funksionale.

"Ministrit Çuçi i duhet ende punë për të negociuar zgjidhjet funksionale që ai dhe Komisioni i Reformës kanë realizuar për Delvinën, Sarandën, Konispolin dhe bashkinë e minoritetit", nënvizon deputeti socialist.

Duke folur për hyrjen e PDIU-së, si parti opozitare në diskutimin për territorialen, Kokëdhima vlerëson rolin e rëndësishëm që mund të luajë ajo në miratimin e reformës:

"Tani në lojë ka hyrë PDIU-ja. Ky është një zhvillim shumë interesant, po të kemi parasysh se PDIU është parti e opozitës dhe ka pesë deputetë. Kërkesa e PDIU-së për t’i bashkangjitur Konispolit Vangalatin, Pandalemonin dhe Sopikun ka provokuar shumë diskutime. Për këtë çështje duket se ka akoma një hapësirë të mundshme negociatash e kompromisesh".

Në diskutimin për territorialen, Kokëdhima njeh dhe vlerëson qëndrimin e deputetit socialist, me origjinë minoritare, Andrea Marto, duke shpresuar që ky i fundit të bjerë dakord me qëndrimin politik të grupit që përfaqëson.

Deputeti nënvizon se, nga takimet e shumta që ka patur në Sarandë me përfaqësues të minoritetit, ka kuptuar se reforma territoriale nuk është kundër minoritetit grek, përkundrazi, ajo është në mbështetje të plotë të të gjitha minoriteteve.

"Në këto takime vura në dukje se reforma territoriale nuk është kundër minoritetit grek. Përkundrazi, udhëheqësit e koalicionit tonë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i kanë dhënë mbështetje të plotë krijimit të komunave dhe bashkive për të gjitha minoritetet", thekson Kokëdhima.

Kokëdhima sqaron se reforma territoriale nuk zhvillohet me qëllimin për t'i hequr të drejta minoritetit, por për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen vendore dhe zhvillimin ekonomik, si në minoritete ashtu edhe në bashkitë e komunat përreth tyre.

Deklarata e plotë e deputetit Koço Kokëdhima

Reforma territoriale ka një rëndësi shumë të madhe. Ajo do ta shpëtojë popullin e Shqipërisë nga kjo situatë shumë e keqe e qeverisjes vendore. Në këto momente të reformës territoriale tensioni i deklaratave nuk është fare surprizë. Interesa të caktuara u përpoqën të kushtëzojnë kufizimin e territorit të Himarës, me pretendimin absurd dhe të gënjeshtërt se Himara jetohet nga minoritarë grekë. Përfaqësuesit e këtyre interesave e ngatërruan reformën me ambicien për më shumë territore në një ndarje administrative mbi baza etnike e fetare!!! Ata kërkojnë një bashki të madhe të minoritetit grek në zonën e Vurgut dhe një bashki të vogël për himariotët.

Himara është një nga trevat shqiptare me historinë më të lavdishme, që e ka paguar lirinë e saj në shekuj aq shtrenjtë sa askush tjetër. Zgjerimi i saj drejt Lukovës e Vranishtit është në përputhje të plotë me parimet e reformës territoriale, por edhe me historinë dhe kulturën e kësaj treve. Kjo histori, kjo kulturë dhe identiteti i kësaj krahine nuk mund të çbëhet as me pensionet greke të tranzicionit shqiptar dhe as me deklarata të gabuara apo keqdashëse. Shumica dërrmuese e himariotëve jam i sigurt se do të ndjehen më pak të provokuar pas kësaj reforme territoriale. Himariotët e dinë shumë mirë çfarë janë, nga vijnë dhe ku shkojnë.

Ministrit Çuçi i duhet ende punë për të negociuar zgjidhjet funksionale që ai dhe Komisioni i Reformës kanë realizuar për Delvinën, Sarandën, Konispolin dhe bashkinë e minoritetit. Tani në lojë ka hyrë PDIU-ja. Ky është një zhvillim shumë interesant, po të kemi parasysh se PDIU është parti e opozitës dhe ka pesë deputetë. Kërkesa e PDIU-së për t’i bashkangjitur Konispolit Vangalatin, Pandalemonin dhe Sopikun ka provokuar shumë diskutime. Për këtë çështje duket se ka akoma një hapësirë të mundshme negociatash e kompromisesh. Ndërsa për çështjet, fshatrat dhe bashkitë e tjera duket se qeveria e ka mbyllur diskutimin.

Ndërkohë që disa parti dhe shoqata të vogla janë përpjekur të imponojnë kërkesa të paarsyeshme, duke ekzagjeruar përtej realitetit mundësitë e tyre për të tronditur qetësinë dhe paqen në Jug të vendit, ata e kanë dobësuar tej mase rolin që mund të luanin në këtë reformë. Ky boshllëk duket se shkon në favor të një roli për PDIU, që mund të rezultojë jashtëzakonisht i rëndësishëm në miratimin e kësaj reforme. Unë mbetem i interesuar të shoh edhe zhvillimet që do të ketë në qëndrimet e Andrea Martos. Marto është deputet i Partisë Socialiste me origjinë minoritare. Marto, ashtu si dhe shumë personalitete të tjera me origjinë nga minoriteti grek, ka qenë vazhdimisht dakord dhe është deklaruar se do të votojë për Himarën e bashkuar me Lukovën dhe Vranishtin. Mospërputhjet e tij thelbësore janë krijuar pas ndryshimeve që janë konsideruar të ndodhin në javën e fundit në kufijtë mes Delvinës, Sarandës dhe Konispolit me komunat e minoritetit. Unë shpresoj dhe uroj se në orët dhe ditët e ardhshme Marto do të dakordohet me qëndrimin politik të grupit të PS-së.

Sot zhvillova një numër takimesh me drejtues të Partisë Socialiste të minoritetit dhe të disa shoqatave e partive të këtij komuniteti në Sarandë. Në këto takime vura në dukje se reforma territoriale nuk është kundër minoritetit grek. Përkundrazi, udhëheqësit e koalicionit tonë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i kanë dhënë mbështetje të plotë krijimit të komunave dhe bashkive për të gjitha minoritetet. Minoriteti grek ka jetuar historikisht në harmoni të plotë dhe ka gëzuar të njëjtat të drejta me qytetarët e tjerë të Shqipërisë. Ne kemi jetuar në vëllazëri të plotë me ta dhe kemi përballuar së bashku të njëjtat halle dhe sfida.

Reforma territoriale nuk zhvillohet me qëllimin për t'i hequr ca të drejta apo ca copa minoritetit, por për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen vendore dhe zhvillimin ekonomik e cilësinë e jetës, si në minoritet ashtu edhe në bashkitë e komunat përreth tij, ku jetojnë gjithashtu shqiptarë dhe minoritarë së bashku. Spekulimet e mëdha e të pabaza nuk duhet dhe nuk do të kompleksojnë qeverinë dhe ligjvënësit të bëjnë më të mirën e mundshme, në favor të organizimit më të mirë të qeverisjes vendore në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Partia Socialiste është shumë e interesuar dhe do të punojë me këmbëngulje për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen dhe jetën e minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat