Në Shqipëri më shumë vdesin sesa lindin

Shqipëria

Në Shqipëri më shumë vdesin sesa lindin

Më: 21 korrik 2014 Në ora: 11:43

Shifra dekurajuese nga Instituti i Statistikave për raportin lindje-vdekje. Më shumë vdekje, sesa lindje. Këtë devijim negativ të aspektit të saj demografik, duket se është duke përjetuar shoqëria shqiptare, duke premtuar një të ardhme aspak pozitive të tij. I përkthyer në shifra dekurajuese të ofruara prej Institutit të Statistikave, aspekti demografik i Shqipërisë referon aktualisht një raport të përkeqësuar mes lindjeve dhe vdekjeve, balanca mes të cilave jep në fakt edhe situacionin ku gjendet shoqëria jonë.

“Statistikat vitale për tremujorin e parë të vitit 2014 tregojnë se kemi një rënie të shtesës natyrore (lindje-vdekje) në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2013 prej gati 10%. Kjo rënie në shtesën natyrore ka ardhur si pasojë e një rënie në numrin e lindjeve me -1.8% dhe e një rritjeje në numrin e vdekjeve me +1.4%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013”, citojnë ekspertët e Institutit të Statistikave lidhur me një fakt të tillë.

Duke konfirmuar në këtë mënyrë përmes shifrash konkrete, se në vendin tonë më shumë njerëz po ikin nga kjo jetë, sesa po vijnë.

Dhe duke bërë kësisoj, që shoqëria shqiptare, e cila mburrej deri para disa dekadash për rininë e saj, pse jo, t’i afrohet plakjes, si edhe shumë shtete të tjera të Evropës, ku kjo dukuri ka prekur një pjesë të konsiderueshme të popullatës së saj.

Të mos harrojmë se gjatë dekadave të kaluara të sistemit monist, shteti komunist i kushtonte një rëndësi mjaft të madhe demografisë si të tillë, duke synuar gjithmonë një balancim të arsyetuar mes lindjeve dhe vdekjeve të popullatës, pa lejuar që këto të fundit të kishin një “ekspansion” më të lartë sesa të parat, e kësisoj, shoqëria shqiptare si e tillë të përjetonte një “rini të përhershme”.

Por mesa duket, lëvizjet e pakontrolluara demografike të viteve të fundit dhe një kërkimi të pashterur të popullatës shqiptare për t’u urbanizuar, pra për të jetuar në qytet, qoftë edhe keq apo i vetmuar, po bëjnë që të ketë një përmbysje të këtij raporti dhe rrjedhimisht, një raport të frikshëm të vdekjeve e lindjeve. Ku një faktor të dukshëm në këtë dukuri negative, patjetër që po luan edhe ulja e numrit të martesave, një element ky i shoqërive kryesisht të urbanizuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat