Minat e ushtrisë serbe në 1999 në Shqipëri, ende rrezik për Kukësin

Shqipëria

Minat e ushtrisë serbe në 1999 në Shqipëri, ende rrezik për Kukësin

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 22:38

Në harkun kohor prej 27 marsit e deri më 13 qershor të vitit 1999, në territorin e Shqipërisë, forcat serbe kanë vënë 20 534 mina të llojeve të ndryshme, në një territor me gjatësi prej 20 kilometrash. Sipas të dhënave 39 fshatra me mbi 30 mijë banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës , kanë rrezikuar jetën nga minat e vëna nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Si rezultat i shpërthimit të minave 34 persona kanë vdekur, 272 persona kanë humbur gjymtyrët, 27 persona kanë mbetur të verbër, ndërsa 84 kanë pësuar dëmtime në gjymtyrë.
Sipas informacioneve dhe në bazë të listave që disponon AMAE (Aksioni i Veprimit ndaj Minave) dhe IRC-ja, që nga fundi i marsit i vitit 1999 dhe deri në vitin 2012 në prefekturën e qarkut Kukës janë regjistruar 273 persona, të plagosur e të vrarë nga minat, që serbët kanë vendosur në brendësi të territorit të Shqipërisë.
Pra 34 të vdekur dhe 239 të plagosur i përkasin rretheve Kukës, Has dhe Tropojë, me një popullsi të përgjithshme prej 120 mijë banorësh dhe me një sipërfaqe të minuar prej 1400 hektarë në 117 km vijë kufitare tokësore midis Kosovës e Shqipërisë.Sipas informacioneve që dispononohen, në zonën kufitare në mes dy vendeve, Mali i Zi dhe Shqipëri, përkatësisht në Tropojë, janë zbuluar tre zona të minuara nga ushtria serbe. Një lajm i tillë është bërë i ditur nga Aksioni i Veprimit ndaj Minave (AMAE) në Kukës, i cili në bashkëpunim me autoritetet malazeze ka kontrolluar zonën për të cilën ishin regjistruar denoncime, se ka pasur shpërthime minash.

Mundësia e kontrollit të vijës kufitare mes Tropojës dhe Plavës ka ardhur menjëherë pas pavarësisë së Malit të Zi, pasi më parë ushtria e Unionit Serbi-Mali i Zi nuk lejonte kontrollin. Aksioni i Veprimit Ndaj Minave (AMAE) në Shqipëri dhe Qendra e Çminimeve Humanitare në Malin e Zi kanë kontrolluar për rreth dy javë para disa kohësh territorin në kufirin Shqipëri-Mali i Zi, në rajonin midis Plavës dhe Tropojës, si zona më e minuar gjatë vitit 1999.

Praninë e këtyre minave në këtë zonë e kanë paraqitur banorët e zonës së Çeremit të Tropojës, Plavës së Malit të Zi dhe barinjve të bjeshkëve të Doberdolit, ku ka pasur dëmtime në bagëti dhe janë përcaktuar 3 zona të minuara, të cilat janë në territorin shqiptar dhe paraqesin rrezik për popullsinë e kësaj zone.
Madje në sajë të këtij bashkëpunimi, autoritetet e Malit të Zi i kanë vënë në dispozicion palës shqiptare një listë të detajuar me fusha të minuara, që ndodhen në afërsi të kufirit në brendësi të territorit të Malit të Zi. Këto zona janë çminuar nga ish-ushtria jugosllave, por edhe pas çminimit në këto rajone janë shënuar aksidente me minat.

Ndërkohë, autoritetet e ushtrisë serbe nuk kanë vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare asnjë lloj materiali apo harte, që ka të bëjë me vendosjen e minave në territorin e Shqipërisë. Sipas zyrtarëve të Malit të Zi, asnjë përfaqësues i shtetit apo ushtrisë serbe nuk ka deklaruar asnjë vend të minuar në territorin e Shqipërisë. Megjithëse autoritetet serbe mohojnë të kenë minuar zona brenda territorit të Shqipërisë, deri tani janë hequr mijëra mina të vendosura nga ushtria serbe.

Rastet e aksidenteve dëshmojnë se në këtë zonë kufitare ende nuk është pastruar ky terren nga minat, përkatësisht çminimi i saj. Madje ende është enigmatike zona kufitare në mes Malit të Zi e Shqipërisë, në gjatësi kufitare prej 172 km.

Ndaj rasti me qytetarët e komunës së Plavës në korrik 2012, e raste të tjera, duke përmendur edhe të para disa ditëve, dëshmon se kjo zonë ende paraqet rrezik, përkatësisht për shqiptarët që banojnë në të dy anët e kufirit.
Ende pas 15 vjetësh rreziku i minave në prefekturën e qarkut Kukës është evident. Çdo vit ndodhin aksidente në njerëz dhe bagëti në fshatrat e zonave të minuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat