Kundërshtohet ligji i ri për policinë, Sindikata: Të ndërhyjë OSBE-ja

Shqipëria

Kundërshtohet ligji i ri për policinë, Sindikata: Të ndërhyjë OSBE-ja

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 17:22

Sindikata e Policisë ka reaguar pas një urdhëri të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, i cili, sipas saj, i nxjerr policët nga zyrat e Komisariatit numër 1, ku janë vendosur prej 4 vitesh.

Sipas njoftimit të Sindikatës, ky urdhër shkëput totalisht marrëdhëniet me Sindikatën e Policisë, pa negociuar për ambiente të tjera pune, siç parashikohet në urdhrin e mëparshëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Në njoftim thuhet se "sindikata e punonjësve të policisë, prej disa kohësh po përpiqet të bindë drejtuesit e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme për të komunikuar në rrugë institucionale për përmbushjen e detyrimeve të veta në bazë të Statutit dhe Kontratës Kolektive të Punës. Për të realizuar këto detyrime të punëdhënësit, Sindikata i është drejtuar në të gjitha rastet me kërkesa Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministrit të Brendshëm, por deri më sot, të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër".

Sindikata kërkon nga sindikatat europiane dhe përfaqësuesit e tjerë në Këshillin Europian mbështetje për të ndryshuar situatën në favor të punonjësve të policisë.

"Fakti që këto probleme janë ngritur deri në nivel të strukturave sindikaliste europiane e bën urgjent reagimin e institucioneve përkatëse që kanë detyrime ligjore që të bashkëpunojnë për të gjitha problemet e ngritura nga sindikata", thuhet në njoftim.

Sindikata ka tërhequr vëmendjen e dy strukturave ndërkombëtare, të atashuara pranë Policisë së Shtetit, PAMECA IV dhe ICITAP, por edhe të OSBE-së në zgjidhjen e këtij konfllikti për të cilin po sipas sindikatës ka reaguar edhe Nënkryetari i OJF-ve pranë Këshillit të Europës, Gerard GRENERON, i cili njëkohësisht është sekretar i përgjithshëm i Sindikatës Europiane të Policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat