PD: Në kulmin e sezonit turistik, qeveria mbush plazhet me mbeturina

Shqipëria

PD: Në kulmin e sezonit turistik, qeveria mbush plazhet me mbeturina

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 16:50

Partia Demokratike ka denoncuar atë që e quan si papërgjegjshmëri të qeverisë me mostrajtimin dhe mbledhjen e inerteve të shumta në zonat turistike.

Koordinatori i Partisë Demokratike për Ndihmë Ligjore dhe Denoncimet, Ervin Salianji vizitoi sot plazhin e Dhërmiut dhe denoncoi faktin që inerte të shumta të prishjes së ndërtimeve në bregdet nuk po largohen nga institucionet qeveritare duke sjellë një situatë të papranueshme në një nga plazhet më të frekuentuara në vend.

“Jemi në pikun e sezonit turistik dhe realiteti në një nga plazhet më të bukura të jugut, siç është plazhi i Dhërmiut, është ky që shohim pas. Ky realitet, kjo shëmti urbane, ky grumbull inertesh, ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë. Ka ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së qeverisë. Qeveria e ka detyrim ligjor pastrimin dhe rehabilitimin e zonës pas çdo ndërhyrje. Por me ç’duket punët e qeverisë shkojnë mirë vetëm në ekrane dhe në facebook-un e kryeministrit. Ndërkohë që në realitet punët në Shqipëri janë si ky grumbull mbeturinash që ndodhet këtu pas meje”, tha Salianji.

Koordinatori i PD-së foli me banorë dhe pushues të zonës në lidhje me këtë situatë të cilët kërkuan që qeveria t’i japë sa më shpejt zgjidhje këtij problemi që po prek turizmin në këtë zonë të jugut të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat