Ligji i personave me aftësi të kufizuara, reagon MMSR: Do të eliminojmë diferencat aktuale

Shqipëria

Ligji i personave me aftësi të kufizuara, reagon MMSR: Do të eliminojmë diferencat aktuale

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 14:12

Duke marrë shkas nga fillimi i diskutimeve në komisionet parlamentare të ligjit kuadër për personat me aftësi të kufizuara, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka reaguar në një deklaratë për media, ku ka sqaruar opinionin publik, por në veçanti të gjithë personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, në lidhje me risitë që sjell ky ligj në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

“Ky ligj është një domosdoshmëri për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin e barabartë e të drejtave të të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përafruar legjislacionin shqiptar me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ligji synon të eliminojë gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu më tej sqarohet se me anë të këtij projektligji do të ngrihet Këshilli Kombëtar i përbërë nga 5 anëtarë për të diskutuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Në vitin 2009 qeveria shqiptare e firmosi, dhe në vitin 2012 Parlamenti Shqiptar e ratifikoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dokumenti i parë ku të drejtat e personave me aftësi të kufizuara trajtohen nën këndvështrimin e të drejtave të njeriut. Me pranimin e kësaj Konvente, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i respektimit të barabartë të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përqasur legjislacionin shqiptar me linjat e Konventës.”

Projektligji është hartuar me ndihmën teknike të ofruar nga UNDP-ja dhe ka përfituar nga ekspertiza ligjore e njërës prej anëtareve të grupit të punës të OKB-së.

“Procesi i hartimit u bazua në bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, dhe përfaqësues të organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar, pas një sërë takimesh publike. Çdo nen i ligjit është në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”, përfundon deklarata e MMSR-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat