Kallëzimi i policisë, Agron Kuliçaj: Hakmarrje politike

Shqipëria

Kallëzimi i policisë, Agron Kuliçaj: Hakmarrje politike

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 16:59

Kallëzimi i policisë së shtetit ndaj dy ish drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj, ka bërë që ky i fundit të reagojë dhe ta cilësojë kallëzimin si një hakmarrje politike. Ndërsa Hysni Burgaj nuk e komentoi atë me pretendimin se vazhdon të jetë pjesë e strukturave të policisë.
Ish numri dy i policisë së shtetit Agron Kuliçaj e cilëson hakmarrje politike kallëzimin ndaj tij dhe ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Hysni Burgaj në lidhje me moszbatimin e urdhërave të prokurorisë për drejtuesit e Gardës për ngjarjen e 21 janarit.
I kontaktuar nga ABC News, Kuliçaj nuk pranoi të flas para kameras, por u shpreh se “kallëzimi është një hakmarrje politike ndaj drejtuesve të lartë të policisë“.
Ai tha se ka qenë dhe do të jetë bashkëpunues me prokurorin, duke shprehur gadishmërinë për t’u përballur me provat që policia pretendon se i ka ndaj tij për ngjarjen e 21 janarit.
Ndërsa ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, i kontaktuar nga ABC Neës, nuk pranoi të komentojë kallëzimin, me pretendimin se nuk mund të shprehet përderisa vazhdon të jetë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
Vetëm pak ditë më parë, me firmën e Drejtorit aktual të Policisë së Shtetit Artan Didi, është dorëzuar pranë prokurorisë kallëzimin penal ndaj dy ish-drejtuesve të lartë të policisë. Ata akuzohen se kanë „shpërdoruar detyrën“ duke mos ekzekutuar urdhërat e arrestit të lëshuar nga prokuroria për ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe 5 drejtuesve të njësive pranë Gardës. Ky urdhër u lëshua vetëm 48 orë pas ngjarjes, ku u vranë dhe plagosen disa demonstrues, urdhra këto që u ekzekutuan një javë më vonë me ndërmjetësimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Polici në kallëzimin e saj, që po heton prokurori Ramadan Troci, ka renditur me cilësinë e provës materiale korespopndencën e mbajtur nga ish drejtori Burgaj dhe shefi i akuzës së Tiranës në atë kohë. Në kallëzim, policia kërkon ndjekje penale edhe për prokurorët që nuk proceduan në atë kohë drejtuesit e policisë për moszbatimin e urdhërave të arrestit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat