Miratohet harta, Shqipëria me 61 Bashki e Komuna

Shqipëria

Miratohet harta, Shqipëria me 61 Bashki e Komuna

Më: 18 korrik 2014 Në ora: 10:04

Komisioni për Reformën Territoriale ka miratuar sot pasdite ndarjen e vendit në 61 njësi vendore. Kjo ndarje do të dërgohet në Këshillin e Ministrave për tu kthyer në projektligj i cili më pas do të shqyrtohet në Kuvend më 23 korrik.

Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi i pranishëm në mbledhje si pjesë e opozitës kërkoi që pjesë e reformës të jetë edhe Çamëria, që sipas tij duhet të jetë një bashki më vete me qendër Konsipolin.

Por në një reagim të dalë nga Partia Demokratike thuhet se pjesëmarrja e Idrizit në Komision është diversion i dyshes Rama-Meta dhe se kreu i PDIU nuk është konsultuar me opozitën dhe me PD-në.

“Diversioni dhe matrapazllëqet, tipar i njohur i dyshes Rama-Meta. Hartat Rama-Meta për pazare të pista politike dhe elektorale. Pazaret Rama-Meta edhe më të pista kur përpiqen të ndajnë opozitën. Opozita ka folur me një zë, interesat e qytetarëve para llogarive politike”, thuhet në reagimin e PD.

Sipas Ministrit të Pushtetit Vendor me ndarjen e porsa miratuar shtohen si njësi vendore më vete, Fushë Arrëzi, Klosi, Vora, Rrogozhina, Belsh, Ura Vajgurore, Prrenjasi, Poliçani, Selenica, Konispoli, Memaliaj, Këlcyra, Libohova dhe Delvina.

Nga ana e tij, kreu i Komisionit të Reformës Territoriale, Bashkim Fino tha se PD synon decentralizimin, ndërsa mazhoranca më shumë kompetenca për pushtetin vendor.

“Prisja një përgjigje pozitive nga PD, mirëpo ata hodhën idenë e decentralizimit e me pas paraqitjen e hartës territoriale. Ata e bënë për arsye politike, duke kërkuar decentralizim. Ndërsa ne kërkojmë më shumë kompetenca për pushtetin vendor, ndaj po e realizojmë reformën. Jemi të vetëdijshëm për të bërë decentralizim. Me ligjin e ri qeveria shqiptare do vijë me ndryshimin e ligjit për Pushtetin Vendor”, u shpreh Fino.

Por konkretisht, Konispoli, skaji më jugor i Shqipërisë, ishte çelësi që zhbllokoi hartën e re administrative të vendit. Propozimi erdhi nga deputeti çam Shpëtim Idrizi që për herë të parë iu bashkua Komisionit, si kusht për t’i dhënë Reformës Territoriale edhe votën opozitare të PDIU-së.

Pakënaqësinë e minoritarëve e shprehu Andrea Marto që ndonëse është zgjedhur si deputet i PS-së në Qarkun e Vlorës, i përket PBDNJ-së së Vangjel Dules.

I kënaqur me çfarë kishte arritur, Shpëtim Idrizi shpjegoi edhe politikisht përse vendosi të mbajë tjetër qëndrim nga pjesa tjetër e opozitës duke marrë pjesë në komision.

Ndërsa LSI përmes Petrit Vasilit paralajmëroi ministrin Çuçi që të gjejë argumenta të forta në seancë plenare për të justifikuar raportet e Bashkisë së Tiranës në krahasim me atë të Vorës dhe Kamzës, që në hartën e re administrative përbëjnë 3 njësi më vete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat