Vajza që lindi dhe u shkollua në Tiranë rrëfen ferrin e ditëve në Rripin e Gazës

Shqipëria

Vajza që lindi dhe u shkollua në Tiranë rrëfen ferrin e ditëve në Rripin e Gazës

Më: 18 korrik 2014 Në ora: 09:25

Amal Abueyad sapo i është shkatërruar shtëpia nga bombardimet izraelite në Gaza. Për fat, ajo, tre fëmijë dhe bashkëshorti nuk kanë qenë në shtëpi kur ndodhi sulmi, e sot strehohet me familjen te njerëzit e të shoqit. Amal është gjysmë shqiptare, e ëma është nga Durrësi ndërsa i ati palestinez. Në vitin 1998 ajo iku nga Shqipëria bashkë me vëllain e të atin për t'ju bashkuar familjes së madhe ku bënte pjesë dhe sot, edhe pse me pasaportë shqiptare, nuk mund të lërë për asnjë arsye jetën e saj të re. Po si jetojnë njerëzit në Gaza, si është situata, a ka krahasim ajo që ka parë Amal me vitin më të keq që hasi në Shqipëri, vitin 1997.... Në një intervistë për mediat shqiptare, Amal Abueyad Ashour tregon atë çka sot po përjeton një popull i tërë.

Amal ju keni lindur në Tiranë, jeni gjysmë shqiptare?
Po, unë kam lindur në Tiranë. Im atë është palestinez dhe ime më shqiptare. Babai vendosi që pas krizës që pësoi vendi pas 1997 të bashkoheshim me familjen e tij dhe unë e vëllai kishim shumë dëshirë të jetonim këtej.

E prej sa kohësh jetoni në Rripin e Gazës?
Unë jetoj në gaza prej 15 vitesh dhe punoj si infermiere në spitalin shtetëror të qytetit. Jam e martuar dhe kam tre fëmijë. Gjithashtu edhe vëllai im Jadi dhe babai jetojnë këtu. Jadi është i martuar me fëmijë.

Si është gjendja në Gaza?
Ju besoj që i ndiqni lajmet në aq sa shfaqen, por gjendja këtu është shumë keq. Izraelitët bombardojnë pa pushim, vrasin pa mëshirë njerëz të pafajshëm, fëmijë, të rinj, gra e pleq... vrasin njerëz duke u falur nëpër xhami. Arritën deri aty sa bombarduan edhe spitalin e të sëmurëve mendorë, çfarë faji ka popullsia, pse i vranë dhe po i vrasin...

Amal pamë foto të shtëpisë suaj që u bombardua nga izraelitët, ishit aty?
Po Rezi, shtëpia ime u shkatërrua nga bombardimet, po kështu dhe shtëpia e babit dhe e xhaxhait tim që janë afër meje. U bombardua e gjithë lagjja, shumë shtëpi komshinjsh janë të bombarduara. Fotografitë flasin më qartë, por shyqyr zotit unë dhe familja ime s'ndodheshim aty se do kishim vdekur me kohë.

Ku jeni strehuar tani?

Bashkë me familjen kam shkuar tek të afërmit e burrit tim.

Jeni të sigurt aty?

Po ku mund të flasësh për siguri këtu, këtu vazhdojnë bombardimet pa pushim.

Ushqime, energji keni?
Ushqime kemi sepse ka ende rezerva në dyqane, ndërsa kemi shumë probleme me energjinë, e cila mungon shumicën e kohës.

Mela (Amal), ju i keni fëmijët e vegjël, vajzën më të madhe gati 6 vjeç, e mbuloni atë që po ndodh, i qetësoni?

Unë kam 3 fëmijë dhe kur dëgjojnë bombardimet ata frikësohen pa masë dhe ne u themi; mos kini frikë se janë fishekzjarrë, por ata nuk besojnë sepse e dinë që janë bombardimet dhe e dinë që jemi në luftë. Ata e shikojnë çdo ditë me sy, edhe pse ne mundohemi ti mbajmë larg.

Amal ju keni pasaportë shqiptare, përse nuk vini të jetoni në Shqipëri?

Tashmë kufijtë janë mbyllur e s'mund të lëvizim, por edhe nëse do ishte e mundur, këtu unë kam vendin tim, fëmijët, punën shtëpinë dhe nuk mund ti braktis.

A ke pasur plan të vije në Shqipëri me pushime?

Këtë muaj kisha planifikuar të vija me kalamajtë në Tiranë për pushime. Do tu bëja dhe pasaportat, por ja që na u mbyllën kufijtë.

Ju jeni infermiere në spitalin shtetëror, si është gjendja?
Në spitale gjendja është shumë keq. Nuk ka ilaçe, mungon korrenti, njerëzit tani janë duke dhuruar gjak për të plagosurit. Kemi pasur dhe grupe mjekësh që vijnë nga Evropa, por sërish është frikë nga tentimet e izraeliteve për bombardimet e spitaleve.

Ka tentativa për ndaljen e luftës?
Ka tentativa për ndalimin e luftës, por nuk u pranua nga të dy palët.

Po në punë shkojnë njerëzit?
Jo, këtu nuk punojnë njerëzit, rrallë sheh njerëz rrugëve. Ja tani që po flasim (ora 16.38) sapo u vranë 4 fëmijë, po i ndjek në televizor, ishin duke luajtur jashtë.

Po sikur u pranua armëpushimi?
Po, dje po prisnim në orën 9 të darkës të bëhej armëpushim, por nuk pranuan. Qeveria jonë kërkon të drejtat tona, janë 5 kërkesa kurse Izraeli nuk do, nuk i pranon.

Për ju si gjysmë shqiptare e gjysmë palestineze, pse është krijuar kjo situatë si e shpjegon?
Izraelitët bëjnë kështu se nuk duan të krijohet shteti palestinez dhe përzënë njerëzit nga shtëpitë dhe ndërtojnë pallate për të shtuar shtetin e tyre. Përditë arrestojnë fëmijë dhe të rinj të pafajshëm dhe i burgosin pa asnjë akuzë me burgime të përjetshme. Nëse e ke dëgjuar lajmin për tre ushtarët izraelitë që u rrëmbyen dhe u vranë, para rreth një muaji? Thanë që u rrëmbyen nga palestinezët, por jo, ishte gënjeshtër dhe ky ishte kurthi për të filluar luftën. Fetarët çifut e bënë këtë rrëmbim dhe i vranë ushtarët e tyre pa mëshirë dhe ushtria izraelite ndenji duke kërkuar të rrëmbyerit ditë e natë në qytetin Khalil, shkatërruan shtëpi dhe arrestonin pa të drejtë dhe nga ana tjetër fetarët çifut rrëmbenin fëmijë palestinezë në shenjë hakmarrje. Ata vranë një djalë 15 vjeç që po shkonte në xhami për të falur mëngjesin... e rrëmbyen, e lyen me vajgur, i dhanë dhe ta pinte dhe e dogjën të gjallë dhe kështu filloi lufta.

Si mund të shpëtojë Gaza?

Nuk e di, nuk di çfarë të them. Kjo histori po përsëritet gjithmonë. Ja tani po flasin në televizor për zgjidhjen por... thonë që s'gjejnë mbështetje nga asnjë vend.

Mela ti ke qenë në vitin 1997 në Tiranë, të kujtohet ndopak?

Po, por ajo nuk është asgjë në krahasim me këtu.
Po ambasadës shqiptare mund ti kërkoni mbrojtje meqë keni pasaporta shqiptare?
Ambasada është në Egjipt dhe një në Telaviv
Po s'keni mundësi të ikni në Egjipt?
Jo, Egjipti pranon vetëm të plagosurit./BalkanWeb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat