Kuvendi rrëzon me 80 vota Bujar Nishanin, bie dekreti për ligjin e ushtrisë

Shqipëria

Kuvendi rrëzon me 80 vota Bujar Nishanin, bie dekreti për ligjin e ushtrisë

Më: 18 korrik 2014 Në ora: 08:27

Mazhoranca ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, që ktheu për rishqyrtim në Parlament ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”.

Dekreti i Nishanit për karrierën ushtarake të FA u rrëzua me 80 vota kundër dhe 2 abstenime. Sipas Nishanit, në argumentimin e tij ligji tejkalon dhe uzurpon funksionin kushtetues të tij si Komandant i Përgjithshëm si dhe kompetencën e Kuvendit.

Por, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, njëkohësisht kryetar i Komisionit parlamentar të Sigurisë, i cilësoi të pabazuara arsyetimet e përdorura nga Kreu i Shtetit, për rikthimin e këtij dekreti sërish në Kuvend. Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, theksoi se ligji nuk prek asnjë kompetencë të Presidentit të Republikës. “Lidhur me arsyetimet që bën Presidenti në dekretin e tij , do të thosha paraprakisht që janë arsyetime tërësisht të pabazuara, madje do të thosha është dekreti më i dobët i ardhur gjatë këtyre viteve nga një President. Ligji nuk uzurpon asnjë kompetencë kushtetuese të Presidentit në cilësinë e tij si komandant i FA”, u shpreh z. Braho.

Kuvendi miratoi me 80 vota pro edhe projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin 2013”. Me kërkesë të grupit parlamentar të PDIU-së, Kuvendi miratoi projektvendimin për të shtuar anëtar në Komisionin e posaçëm për Reformën Administrativo Territoriale, z. Shpëtim Idrizi. Gjithashtu, Kuvendi miratoi dhe kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që znj. Luiza Xhuvani të jetë anëtare edhe në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat