Ngrihet agjencia për adresat e paligjshme

Shqipëria

Ngrihet agjencia për adresat e paligjshme

Më: 16 korrik 2014 Në ora: 23:48

Këshilli i Ministrave ka vendosur sot ngritjen e një Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, e cila do u përgjigjet të gjithë personave që kanë ankesa në lidhje me adresat e paligjshme.

Sipas njoftimit të botuar në faqen zyrtare të qeverisë, ALCIRT ka ngritur një faqe online që do t’u shërbejë të gjithë personave për të publikuar adresat e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme në përputhje me përcaktimet e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe ofruesve të shërbimit të aksesit në internet (ISP-ve) për marrjen e informacionit me qëllim mbylljen e aksesit në këto faqe sipas legjislacionit në fuqi.

Vendimi i qeverisë për adresat e paligjshme

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.766, DATË 14.9.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE PËR SIGURINË KOMPJUTERIKE (ALCIRT)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pas shkronjës “f”, të pikës 3, të vendimit nr.766, datë 14.9.2011, të Këshillit të Ministrave, shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:

“g) Ngre, administron dhe mirëmban portalin online që do t’u shërbejë personave juridikë, publikë dhe privatë, për të publikuar adresat e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme në përputhje me përcaktimet e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe ofruesve të shërbimit të aksesit në internet (ISP-ve) për marrjen e informacionit me qëllim mbylljen e aksesit në këto faqe sipas legjislacionit në fuqi. ALCIRT-i nxjerr udhëzime dhe urdhra për zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë shkronjë.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat