PD: Rama do të mbajë përgjegjësi për çdo akt dhune

Shqipëria

PD: Rama do të mbajë përgjegjësi për çdo akt dhune

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 19:58

Demokratët deklarojnë se Kryeministri Rama do të jetë ai që do të mbajë përgjegjësi për çdo akt dhune e kërcënimi ndaj opozitës.

Në një konferencë për shtyp nga selia blu, deputetja Majlinda Bregu ritheksoi se opozita nuk do të reshtë së bëri publike lidhjet e Kryministrit me krimin.

Majlinda Bregu: “E gjithë shoqëria, mbarë qytetarët flasin dhe janë të revoltuar nga goditjet fizike, nga dhuna ndaj deputetëve të opozitës, nga kërcënimi me jetë i përfaqësuesve të Partisë Demokratike, prej deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të porositur, frymëzuar dhe urdhëruar nga Edi Rama.

Qytetarët janë të tronditur nga kërcënimi banditesk që deputeti Ndoka i ka bërë, zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi.

Çdo ditë, po konfirmohet se Edi Rama ka ngritur një mekanizëm dhune e kërcënimi ndaj opozitës, ndaj fjalës së lirë.

Edi Rama, shefi i përfaqësuesve të botës së krimit që godasin e kërcënojnë opozitën, hesht, bën shurdhin dhe të paditurin.

Partia Demokratike i bën edhe një herë të qartë Edi Ramës, se e mban atë personalisht përgjegjës, politikisht, ligjërisht e në mënyrë të gjithanshme, për çdo akt dhune e kërcënimi ndaj përfaqësuesve të opozitës.

Partia Demokratike, është më e vendosur se kurrë që çdo ditë të bëjë transparencën e lidhjeve kriminale të Edi Ramës, dhe përfshirjen e krimit në nivelet më të larta të mazhorancës.

Partia Demokratike bashkë me të gjithë shqiptarët e lirë nuk do të lejojë që Shqipëria të kthehet në një oligarki të mafias kriminale të Edi Ramës.

Partia Demokratike do të jetë çdo ditë në krye të misionit të saj për të mos lejuar që Edi Rama dhe banditët e tij, të varrosin ëndrrën europiane të shqiptarëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat