Rama: Pas 300 ditësh Shqipëria është më europiane

Shqipëria

Rama: Pas 300 ditësh Shqipëria është më europiane

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 16:50

303 ditë pasi ka marrë mandatin për të qeverisuar, kabineti qeveritar Rama, në një format të pa aplikuar nga asnjë nga qeveritë e mëparshme, ka renditur paketën e arritjeve të vitit të parë të punës.

Të gjithë ministrat nën drejtimin e Zv.Kryeministrit që kishte rolin e moderatorit kanë folur për suksese që kanë arritur në 300 ditë në krye të dikastereve që drejtojnë.

Vetë Kryeministri i cili e ka marrë fjalën i fundit ka bërë një përmbledhje të atyre që prezantuan ministrat e tij, por duke nënvizuar ndryshimin thelbësor që e ndan sipas tij sjelljen e kësaj qeverie me atë të mëparshmen.

Respektimi i institucioneve të pavarura, pavarësisht mospëlqimit që ndajnë për drejtuesit e 3 prej tyre.

E pikërisht, duke folur për KLD Rama tha se nuk do të lejojë që ky institucion të kërcënojë qeverinë.

Kryeministri përsëriti se në marrëdhënie me opozitën do të vijojë të mbajë qëndrimin e dorës së shtrirë për consensus ndërsa e akuzoi atë në mënyrë indirekte se është e përfshirë në krizën mes KLD dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Në 300 ditë Rama tha se Shqipëria është më europiane dhe kjo falë imazhit të ri që qeveria i ka dhënë vendit.

Si arritje madhore të vitit të parë të qeverisë, Kryeministri veçoi marrjen e statusit të vendit kandidat që erdhi i merituar dhe jo si lëmoshë.

Kryeministri nuk u ndal shumë në arritjet ekonomike, por theksoi se në 300 ditë ka patur ulje të papunësisë.

Për të gjitha ato që kreu i qeverisë i renditi si sukseset e vitit të parë të qeverisjes falenderoi 1 milion shqiptarët që besuan tek projekti i tij me Ilir Metën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat