Basha refuzon takimin me Ramën

Shqipëria

Basha refuzon takimin me Ramën

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 21:55

Partia Demokratike nuk do të bëhet pjesë e punimeve të Kuvendit deri në fund të këtij sesioni që mbyllet më 31 Korrik, seancë ku pritet të miratohet Reforma Territoriale.
Burime nga PD konfirmojnë vendimin, çka do të thotë se në këtë mënyrë kreu demokrat Lulzim Basha do të refuzojë edhe një takim me Kryeministrin Edi Rama, pas gadishmërisë së shprehur nga Kreu i Qeverisë përmes një letre drejtuar kryetarit të opozitës, në lidhje me reformën territoriale.

Mësohet se refuzimi i takimit ka të bëjë jo vetëm me tensionet e krijuara së fundmi në raportet pozitë-opozitë për shkak të përplasjeve fizike mes deputetëve, por edhe me faktin se në letrën që kryebashkiaku Basha i kishte drejtuar Kryeministrit Rama një nga kushtet ishte reforma e decentralizimit, për të cilën Kreu i Qeverisë në përgjigjen e tij është shprehur për ta miratuar në një moment të dytë.

Burime nga PD theksojnë se deputetët demokratë nuk do të jenë të pranishëm në asnjë nga mbledhjet e Komisioneve Parlamentare dhe seancave plenare, çka do të thotë se edhe reforma territoriale do të votohet në Kuvend pa prezencën e deputetëve të opozitës.

Të njëjtat burime konfirmojnë se kthimi i deputetëve demokratë në veprimtaritë parlamentare do të bëhet me nisjen e sesionit të ri parlamentar, ku gjithashtu pritet të nisin edhe protestat kundër qeverisë Rama.

Në këtë mënyrë, në një kohë kur parlamenti ka ndezur motorrët për të finalizuar të gjithë projektligjet brenda këtij sesioni, përfshirë këtu edhe reformën territoriale, ky vendim i PD-së, mbyll pothuajse çdo mundësi për gjetjen e një konsensusi apo kompromisi mes palëve në lidhje me miratimin e kësaj reforme.

Në anën tjetër reforma territoriale duket se ka përçarë partitë opozitare, pasi të paktën një prej tyre, PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi është bërë pjesë tashmë e Komisionit të posaçëm për reformën Territoriale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat