Rrëfehet deputeti socialist: Prostitutat nuk i punoja unë. Më burgosën gabimisht

Shqipëria

Rrëfehet deputeti socialist: Prostitutat nuk i punoja unë. Më burgosën gabimisht

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 21:33

Deputeti i PS’së në Qarkun e Lezhës, Arben Ndoka ka reaguar pasditen e sotme ndaj akuzave të PD për përfshirjen e tij në botën e krimit. Ai shprehet se nuk ka lidhje me ngjarjen, ndërsa shton se procesi është zhvilluar pa dijeninë e tij.
Ndoka shkon më tej, dhe akuzon opozitën se në krah të saj ka vrasës komisionarësh. “Pasi më në fund u kuptua që opozita e paska pasur fjalën për mua, pasi shumë kriminelë dhe vrasës komisionarësh i ka në krahun e saj, doja të sqaroja disa momente për opinionin publik që të shmangen abuzimet e qëllimshme nga elementë të caktuar.

Opozita ka publikuar një vendim gjykate për mua duke vazhduar në këtë mënyrë përpjekjet e saja për të bërë pis emrin dhe figurën time. Po ju jap disa fakte në lidhje me publikimet e opozitës, për të sqaruar elektoratin i cili më ka votuar, dhe pse shumica prej tyre më njohin shumë mirë dhe e dinë historinë e jetës time si dhe të gjithë opinionin publik të cilin po përpiqet të manipulojë opozita”, shprehet ai.

Ndoka më tej jep versionin e tij për ngjarjen duke treguar fillimet e emigrimit të tj në Itali që nga mosha 18 vjeçare, e deri në kthimin e tij në atdhe ku ka vijuar të ndjek studimet universitare.

“Në moshën 18 vjeçare, si shumica e shqiptarëve dhe rinia lezhjane, pjesë e të cilës isha dhe unë, emigruam për një jetë më të mirë në shtetin italian, ku na sistemuan për disa muaj në një kamp për emigrant në Monopoli dhe më pas jam sistemuar në qytetin e Perugias ! ku kam qëndruar dhe punuar disa muaj. Ngjarja të cilës i referohet vendimi i publikuar në media nga opozita është pikërisht për këtë periudhë të qëndrimit tim në shtetin italian. Gjatë kësaj periudhe më ka ndaluar policia italiane dhe pasi janë bërë sqarimet për ngjarjen në fjalë, me të cilën nuk kisha aspak lidhje, siç e vërteton dhe fashikulli hetimor, kam vazhduar i qetë rutinën e jetës time në atë qytet. Më pas vendosa të kthehem në vendin tim ku kam vazhduar normalisht jetën duke punuar gjithmonë me ndershmëri dhe duke investuar në arsimin dhe kualifikimin tim profesional si jurist dhe avokat. Procesi ka vazhduar pa dijeninë time si në shumë raste në vendet fqinje dhe ndaj meje është marrë një masë në mungesë duke, jo vetëm mos u mbrojtur në proces nga ndonjë avokat por përkundrazi duke u abuzuar me mungesën time nga avokatët e të akuzuarve të tjerë, për të lehtësuar klientët e tyre, duke rënduar pozitën time. Këtë e provon dhe fakti që personat të cilët akuzoheshin si autorë morën dënime minimale ndërsa ndaj meje, për krijimin e lehtësirave ishte dhënë një masë shumë më e rëndë me të cilën jam njohur krejt rastësisht në vitin 2002”.

Deputeti i Partisë Socialiste sqaron më tej se gjatë asaj periudhe ka lëvizur shumë herë në shtetin italian dhe në gjithë Europën për arsye pune dhe biznesi, pasi ka ushtruar për shumë vite detyrën si Sekretari i Dhomës së Tregtisë të Qarkut Lezhë, emërim ky i cili mbante firmën e njërit prej ministrave të qeverisë Berisha të asaj kohe.

“Pasi u ktheva nga shteti italian kam krijuar familjen time e cila përbëhet nga bashkëshortja ime dhe dy vajzat e mia. Njëkohësisht kam punuar në Gardën e Republikës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ndërtimore dhe në Drejtorinë e Policisë Qarkut Lezhë ku rezultatet e punës në institucionet e sipër përmendura janë të larta dhe më se! të verifikueshme. Më pas, në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, u riktheva sërish si Drejtori i Drejtorisë të Ekzekutimeve dhe më pas si Drejtor i Drejtorisë Teknike deri në momentin e kandidimit si deputet, duke pasur këto emërime firmën e ministrit të qeverisë Berisha dhe Sekretarit Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Krahas punës në institucionet shtetërore kam arritur me mund të ngre dhe biznesin privat ku prej vitesh bashkëpunoj me një firmë të fuqishme në qytetin e Veronës në Itali. Këto aktivitete janë lehtësisht të verifikueshme përmes lëvrimeve dhe kredive bankare,” thotë më tej, Ndoka, ndërsa shton se këto akuza janë të stilit të Berishës Ristanit e Strazimirit të PD-së për të cilët u shpreh së do të nxjerrë gjëra që shqiptarët nuk i kanë dëgjuar kurrë.

“Për të konkluduar, këtë fatkeqësi timen të ndodhur në adoleshencë për lapsus të sistemit të drejtësisë italiane opozita po përpiqet ta transformojë në njollë dhe në të kaluar kriminale me fjalët më të rënda për dinjitetin tim personal dhe të familjes time e cila nuk i përket bracës çnjerëzore as të Strazimirit, as të Ristanit apo Berishës, etj për të cilët do të flas më vonë gjëra të cilat nuk janë dëgjuar kurrë nga shqiptarët dhe pse disa mund ti dinë por nuk marrin guximin që ti thonë. Këto janë strategji të vjetra të Berishës të cilat i ka përdorur me fise në verilindje të Shqipërisë dhe brenda llojit si në rastin Meksi, Hajdari etj. Por unë dua ti kujtoj opozitës se në ndryshim nga shumë deputetë të saj, unë nuk kam zgjedhur të kandidoj në ndonjë qytet tjetër por pikërisht në qytetin ku jam rritur dhe ku më njohin të gjithë. A mund të më thoni si mund t’ju kërkoja unë votën dhe mbështetjen popullit të Lezhës nëse nuk do të isha ballë hapur para tyre? A mund të arrihej ai rezultat rekord i cili u arrit në qytetin e Lezhës në! se unë do të përfaqësoja atë që pretendon opozita? Këtë sqarim e bëj për mbarë opinionin publik dhe jo për një pjesë të fëlliqësirave të PD të cilët i njoh mirë dhe më vjen turp që i kam në krah, duke i kërkuar ndjesë pjesës të shëndoshë të saj. Ju mund të mundoheni sa të doni të bëni pis emrin tim por lezhjanët do më njohin gjithmonë si “Beni” që ju është gjendur gjithmonë pranë në hallet dhe problemet e tyre me aq mundësi sa kam pasur, shumë më parë se të merrja mandatin e deputetit”, përfundoi Ndoka sqarimin në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat