Historia e trishtë e 22-vjeçarit, zhduket në Greqi njësoj si i ati vite më parë. Shoku i tij gjen vdekjen (Video)

Shqipëria

Historia e trishtë e 22-vjeçarit, zhduket në Greqi njësoj si i ati vite më parë. Shoku i tij gjen vdekjen (Video)

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 18:50

Duket se ka pësuar të njëjtin fat si babai i tij, zhdukur vite më parë. Kjo është historia e Eri Pelivanit, djalit 22 vjeçar nga Pojani i Fierit, i cili prej 10 ditësh ka humbur kontaktet me familjen pasi u nis ilegalisht drejt Greqisë me disa shokë të tij.

Fatkeqësisht miku i tij, Kristian Çollhai u gjet i pa jetë, ndërsa nga Eri nuk ka asnjë lajm. Nëna e tij Florika, me lot në sy kërkon ndihmë nga shteti për të gjetur djalin e saj, i cili në mënyrë të mistershme është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, raporton Ora News.

“Janë nisur bashkë me dy shokë të Kristianit nga Durrësi. Tani menjeherë që morëm këtë lajmin u shqetësuam dhe ne se dhe djali jonë me të ishte. Do shkonin të punonin, donin të jetonin. Që atë ditë që ka ikur ne nuk kemi komunikuar me djalin. Unë kërkoj nga shteti të më ndihmojë, sido të jetë djalin e dua këtu.

Mezi i kam rritur. Për arsye familjare, nuk kemi të ardhura të shkojmë ta kërkojmë djalin. Nuk them dot se ka qenë me dokumenta, pasaportën e mori, por nuk e di nëse e mori me vete apo e la diku. U nis me Kristian Çollhain dhe dy shokë të tij, ata nuk i njohim. Tani Kristiani u gjet i mbytur , tani ne nuk dimë gjë për djalin tonë.

Edhe babain nuk e ka, ka që në 2003 i humbur dhe ndoshta nga kjo e ka vrarë ndërgjegjia, donte…Çfarë të them unë. I lutem shtetit të më ndihmojë në këtë drejtim, të më gjejë djalin”.

Ndërsa në familjen Çollhai është hapur dera për ceremoninë mortore në pritje të trupit të 28-vjeçarit Kristjan Çollhai. I ati tregon lajmin e hidhur qe mesoi gjatë së premtes.

“Më njoftuan në degë, vajta në degë, më njoftuan që është gjetur një person me këtë emër, me këtë kështu… Vajti dhe e verifikoi pastaj byrazeri i madh dhe akoma s’kemi përgjigje se kur do vijë, kur do kthehet. Vajti 10 ditë. Nuk na lajmëroi para se të ikte”

Ndërsa halla e Kristianit, Monda Çuko kërkon ndihmë nga shteti për të sjellë trupin e nipit të saj në familje. Sipas saj, pala greke kërkon 2 mijë euro për të sjellë trupin, shumë të cilën familja nuk e përballon dot.

Florika, nëna e Erit ka vetëm një kërkesë, që djali i saj i rritur me shumë sakrifica të kthehet në shtëpi dhe për këtë i drejton sytë e përlotur nga shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat