Nuland sot në Tiranë, takime me drejtuesit e partive politike

Shqipëria

Nuland sot në Tiranë, takime me drejtuesit e partive politike

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 11:12

Ndihmëssekretarja e SHBA-së për Çështjet e Europës dhe Euro-Azisë, Viktoria Nuland, do të vizitojë sot Shqipërinë, në kuadër të një misioni që prek Europën dhe Ballkanin Perëndimor. Nuland, sipas njoftimit të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, do të takohet në Tiranë me përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar, si dhe me drejtuesit e partive kryesore në vend. Ndihmëssekretarja e DASH-it, Nuland, viziton Shqipërinë, pas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave të BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat. Ndërsa duhet përmendur se situata politike në Shqipëri është tensionuar së tepërmi, pasi opozita, PD-ja ka shpallur bojkotin e Parlamentit. Zyrtarja e DASH-it do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë më 13 korrik, ku do të diskutojë për dialogun mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Jo jashtë vëmendjes së SHBA-së është edhe Maqedonia, e cila së fundmi është përfshirë në protesta mes shqiptarëve dhe maqedonasve për çështjen e vendimit të gjykatës për rastin “Monstra”. Vizita do të realizohen në Serbi, Belgjikë. Zyrtarja e DASH-it, Nuland, më pas do të vijojë vizitën në Londër, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të qeverisë britanike, ku do të diskutojë për çështjet globale dhe përgatitjet për Samitin e NATO-s, për ngjarjet e fundit në Ukrainë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat