Lulzim Basha: Ne ndërtuam realitetin evropian, ata duan ta përballin Shqipërinë me realitet sirian

Shqipëria

Lulzim Basha: Ne ndërtuam realitetin evropian, ata duan ta përballin Shqipërinë me realitet sirian

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 20:48

“Dhuna dhe krimi kanë pushtuar sheshet dhe politikën. 300 ditë më parë filloi e keqja me rrënimin e policisë, vazhdoi me rrënimin e ekonomisë, vazhdoi me rrënimin dhe kapjen e institucioneve, me narkotrafikun, me dhunën dhe vulgaritetin kryeministror, me vrasjet mafioze dhe eleminimet e elitës sipërmarrëse”.
Kështu iu drejtua Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri të pranishmëve në Kuvendin Zgjedhor të degës së kësaj partie në Durrës, ndërsa shtoi se e keqja nuk po ndalet.

Duke iu referuar sherrit të ndodhur në Kuvend mes deputetit demokrat Genti Strazimiri dhe deputetëve socialist Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, Basha tha se ligjvënësi demokrat u kërcënua me jetë dhe se ky është agresion që i bëhet fjalës së lirë, që i bëhet interesave të shqiptarëve.

Parlamenti, tha Basha, është kthyer në strehë të krimit, ashtu si edhe nivele të larta të administratës.

“E keqja nuk po ndalet. 300 ditëshi i dytë filloi me agresionin e krimit politik ndaj opozitës në parlament, agresionin ndaj fjalës së lirë, agresionin ndaj interesave të shqiptarëve. Prisni se nuk keni parë asgjë, paralajmeronte i marri nga foltorja e Kuvendit sepse e dinte destinacionin, e njihte mirë patologjinë e tij, urrejtjes e mllefit ndaj kundërshtarit”, tha Basha.

Në vijim ai shtoi se Partia Demokratike ka dëshmuar në këto 24 vite se ia ka dalë të triumfojë ndaj të keqes, duke shprehur bindjen se dhe këtë herë do të arrijë ta ndalë kërcënimin që po i bëhet të tashmes dhe të ardhmes së vendit nga Rilindja e së keqes.

Basha u ka bërë një apel nga Durrësi të gjithë shqiptarëve të ngrihen për ta ndalur të keqen para se ajo të triumfojë.

“Nga realiteti europian që kishim ndërtuar dhe donim të përparonim, tani duan ta përballin Shqipërinë me realitet oriental sirian. Tani është koha të reagojmë. Tani është koha t’i themi ndal së keqes dhe të çohemi të gjithë për ta ndalur atë para se e keqja të triumfojë. i përkasim qytetërimit europian që nuk mund të përfaqësohet para botës me këtë pakicë mendjesh të sëmura mesjetare. Nuk duhet të lejojmë të keqen të pushtojë të tashmen, të pushtojë të ardhmen, të pushtojë vendin e fëmijëve tanë. Misioni ynë dhe i çdo atdhetari është t’u kthejmë shqiptarëve normalitetin”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat