Tirana thërret ambasadorin maqedonas

Shqipëria

Tirana thërret ambasadorin maqedonas

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 18:20

Në Shqipëri ministria e Jashtme thirri sot në takim ambasadorin e Maqedonisë, pas notës së djeshme të protestës së Shkupit ndaj qëndrimeve të autoriteteve të Tiranës lidhur me zhvillimet e fundit në vendin fqinj

Ministria e Jashtme shqiptare ka shprehur “keqardhjen dhe pakënaqësinë për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë”. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se zhvillimet e fundit në Maqedoni “janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët” duke shtuar se “as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen”.

Por qëndrimet e Tiranës janë parë nga Shkupi si një ndërhyrje në punët e brendshme. Sot gjatë takimit me ambasadorin e Maqedonisë, ministria e jashtme e Shqipërisë vuri në dukje se “këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Ato përbejnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve”.

Ministria shqiptare “rishprehu shqetësimi për dhunën e ushtruar gjatë demonstratave” dhe theksoi se “kjo mënyrë sjelljeje nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndër-etnike e harmoninë midis komuniteteve”.

Ndërsa është ritheksuar qëndrimi i Shqipërisë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë “ambasadorit maqedonas ju theksua se nota verbale e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë lë përshtypjen se është më shumë një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga thelbi i çështjes. Shkaqet e këtyre situatave – ka nënvizuar pala shqiptare -duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek mos zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë te tjerë dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive”, nënvizon ministria e jashtme e Shqipërisë.

“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok kërkojnë mirëkuptim dhe përpjekje të përbashkëta. Shqiptaret e Maqedonisë janë jo vetëm një urë bashkëpunimi, por faktor shtet-ndërtues me një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit”, përfundon njoftimi i ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lidhur me takimin e sotëm me ambasadorin e Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat