Basha: Dhunë për ti mbyllur gojën opozitës, ndërpresim marrëdhëniet me “strehën e krimit”

Shqipëria

Basha: Dhunë për ti mbyllur gojën opozitës, ndërpresim marrëdhëniet me “strehën e krimit”

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 18:09

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka komentuar incidentin e ndodhur në Kuvend mes deputetit socialist Pjerin Ndreu dhe atij demokrat, Gent Strazimiri.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Basha e cilësoi si një akt politik të urdhëruar nga Kryeministri Edi Rama, për të goditur deputetin Strazimiri.

Ai tha se sulmi ndaj tij u bë sapo deputeti demokrat kishte mbyllur fjalën në Parlament, ku kishte shprehur shqetësimin për gjendjen ku ndodhet rendi dhe krimi, duke bërë si përgjegjës politikë dyshen Rama- Meta.

“Menjëherë pas kësaj fjale Edi Rama urdhëroi banditë të veshur me mandat deputeti, të dhunojnë fizikisht opozitën, fjalën e lirë, dhe Gent Strazimirin, si një akt i mirëfilltë kërcënimi, për të mbyllur gojën dhe fjalën e lirisë, edhe në tempullin e demokracisë që është Kuvendi. Ne kemi denoncuar prej kohësh depërtimin e krimit, zhbërjen e Policisë së Shtetit, por në vend të reflektimit, erdhi përkeqësimi. Sot u tregua se kjo është një strategji e mirëfilltë, fillesat e së cilës datojnë nga 2009, me platformën për të kapur pushtetin me çdo kusht dhe që kulmoi me zgjedhjet e 23 qershorit, kur aleanca e krimit e Ramës dhe Metës mori formë, me elememntë të botës dhe krimit të organizuar. Sot ky skrenar jo vetëm është në veprim, por u kurorëzua me aktin e goditjes së opozitës parlamentare”, u shpreh Basha.

Ai tha se opozita ka marrë një vendim prej kohësh dhe ai është që të përballet me çdo kusht dhe çmim, për të mos e lejuar Shqipërinë të devijojë nga orientimi europian, për mos të lejuar zëvendësimin e vlerave europiane, me realitetin e krimit të organizuar.

Ai deklaroi se maxhoranca ka ndërtuar një infrastrukturë dhune, të cilën e përdorin për ti mbyllur gojën opozitës, por nënvizoi se opozita do të vazhdojë të denoncojë lidhjet kriminale të kësaj shumice dhe do vazhdojë ti përballë me fytyrën e vërtetë të krimit.

Duke iu referuar Parlamentit, kreu i PD tha se opozita ndërpret deri në një vendim të dytë marrëdhëniet me “këtë strehë të krimit”.

Megjithatë kreu i demokratëve deklaroi se do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do i mbyllin gojën opozitës, pasi ajo do jetë në këmbë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat