Nismat rajonale, ministrat e jashtëm mblidhen në Mal të Zi

Shqipëria

Nismat rajonale, ministrat e jashtëm mblidhen në Mal të Zi

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 16:42

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të gjithë Rajonit, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Në takimin që po zhvillohet në Mal të Zi, në Kotorr ishte i pranishëm edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit Goran Svilanoviç.
Ky takim vjen edhe në vazhdën e takimeve të mëparshme të zhvilluara në Selanik dhe Vjenë mes ministrave të Jashtëm të Rajonit me Komisionerin Fyle, mbi forcimin e bashkëpunimit mes vetë vendeve të rajonit, të përfshira në Procesin e Stabilizim-Asociimit, dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit u diskutua propozimi i Komisionit Evropian për një mekanizëm informal dhe operacional bashkëpunimi rajonal, i cili të ketë si fokus arritjen e përmbushjes më të shpejtë të ‘acquis communautaire’ në vendet e rajonit. Ky mekanizëm do të krijojë mundësinë për shfrytëzimin e fondeve të Bashkimit Evropian, në funksion të konkretizimit të projekteve të përbashkëta me përmasa rajonale.

Ministri Bushati, pasi theksoi nevojën e forcimit të ndërveprimit rajonal nëpërmjet projekteve konkrete, insistoi mbi rëndësinë e gjithëpërfshirës së mekanizmit të ri të propozuar nga Komisioni Evro pian, si dhe mbi shmangien e dublimit dhe të mbivendosjes me nismat e tjera rajonale. Bashkëbiseduesit ranë dakord mbi parimin e rotacionit të kësaj nisme informale në mënyrë që të gjitha vendet pjesëmarrëse të kenë mundësinë e barabartë në dhënien e kontributit dhe marrjen e përgjegjësive në kontekstin rajonal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat