Veliaj shpërndan këstin e ish-të përndjekurve: Ndjesë për vonesën, të gjithë do dëmshpërblehen

Shqipëria

Veliaj shpërndan këstin e ish-të përndjekurve: Ndjesë për vonesën, të gjithë do dëmshpërblehen

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 13:45

Ish të përndjekurit marrin sot këstin e parë të dëmshpërblimit për vitet e tyre të burgut. Ishte ministri Veliaj ai që nisi ndarjen e këtij kësti dhe sipas tij ligji u përshpejtua për të marrë pagesat ata që janë gjallë. Ai kërkoi ndjesë për vonesën në këto 8 muaj dhe premtoi dëmshpërblimin e plotë brenda këtij mandati qeverisës. Gjatë kësaj kohe, Veliaj prezantoi drejtorin e ri të institutit të të përndjekurve, Bilal Kola, një njeri i rritur dhe lindur në internim.
” Arsyeja që ne shtymë ligjin përpara, jeni ju, sepse kanë kaluar 23 vjet dhe ende nuk kanë marrë dëmshpërblime, ndaj gjykoj se kjo është e pamoralshme. Me këtë ritëm, 20% në 24 vjet, do duheshin 120 vjet. Me këtë ritëm breshke, jetojmë jashtë realitetit, sepse ligjet janë për njerëzit. Ne e ndryshuam ligjin që të përshpejtojmë pagesat për ata që janë gjallë. Jemi në diskutime për të rritur fondin me 2 milion dollar për vitin tjetër. Dua ta mbyll duke iu kërkuar ndjesë, sepse për popullin nuk ka rëndësi kush ka qënë në pushtet. Republika e Shqipërisë është një dhe ajo ishte e paaftë për ta bërë në 8 vjet. Kërkoj ndjesë për vonesën. Për të përndjekurit është abuzuar boll politikisht, një nga grevat e urisë që u bë instrument politik organizohej nga njerëz që nuk kishin bërë asnjë vit burg dhe kishin marrë dy këste. Në Shqipëri ndodh që një grup i vogël bërtet aq shumë sa mendon se flet edhe për të tjerët që nuk kanë folur. Unë e ndjeva detyrë që të flisja për komunitetin tuaj që nuk dilte dhe bërtiste në televizor dhe nuk kishte marrë asnjë këst. Më vjen mirë që rezistuam dhe sot jemi krenar të bëjmë pagesat e këstit të parë.
Sipas drejtorit të ri,mosha dhe gjinia do të jenë prioritare, por nuk do të lihen mënjanë as trashëgimtarët.
” Ata që janë gjallë do trajtohen me përparësi duke marrë rreth 70 % të asaj që do ndahet si fond vjetor për shpërndarjen e kësteve. Por as trashëgimtarët nuk lihen mënjanë, por nisur nga fakti që nevojat imediate i kanë moshat e thyera dhe duke qënë se ky ligj përshkohet nga një fill solidariteti, gjykojmë që gjinia të shihet me përparësi. Moshat e thyera dhe gjinia janë kategoritë që do të dëmshpërbehen të parët, duke mos lënë mënjanë askënd që është gjallë. Brenda këtij mandati do themi: askush nuk ka mbetur pa u dëmshpërblyer nga ata që janë gjallë”, tha Kola.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat