Nishani i përgjigjet Ruçit dhe Vasilit: Emërimet në Gjykatën e Lartë, sipas ligjit

Shqipëria

Nishani i përgjigjet Ruçit dhe Vasilit: Emërimet në Gjykatën e Lartë, sipas ligjit

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 09:35

Presidenti i Republikës Bujar Nishani i është përgjigjur publikisht një letre të krerëve të gripeve parlamentare të PS Gramoz Ruçi dhe atij të LSI Petrit Vasili që kërkojnë nisjen e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë.

Në fillim të sqarimit të tij kreu i shtetit thotë se me marrjen e statusit vend kandidat për në BE kërkohet një sjellje tjetër mes institucioneve të pavarura dhe gjë që nuk e ndihmon rrëzimi i paargumentuar i dekreteve të kreut të shtetit në Parlament.

“Praktika të tilla, bllokuese dhe të paargumentuara ligjërisht, siç janë vendimmarrjet parlamentare për mosdhënien e pëlqimit në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk janë në nderin e Parlamentit dhe as në interesin e demokracisë në vend. Në gjykimin tim si dhe në gjykimin tonë të përbashkët, Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, pavarësisht ndarjes partiake, apo interesit afatshkurtër apo afatgjatë politik”-shkruan Presidenti.

Presidenti thotë se të gjitha propzoimet për anëtarë në Gjykatën e Lartë janë bërë në përputhje me ligjin.

“Duke u kthyer në analizën e konstatimeve të parashtruara në letrën që më keni dërguar, më duhet të them se ato janë të pavërteta dhe të pambështetura në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë. E gjithë praktika e deritanishme e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, është konsideruar që në fillim dhe në mënyrë të padiskutueshme si një proçes bashkëpunimi midis Gjykatës së Lartë, Presidentit të Republikës dhe Kuvendit. Nisur nga kjo logjikë e ligjës, është absurde që ju të pretendoni se Kuvendit i është hequr kompetenca për vendimmarrjen mbi dhënien e pëlqimit”- sqaron Presidenti, Bujar Nishani.

Kreu i shtetit thotë se konstatimet dhe rekomandimet e Ruçit dhe Vasilit janë kontradiktore pasi jo vetëm nuk mbështeten në ligjin mbi të cilin është vepruar deri tani por edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, për të cilin ata kishin djeni, është shpallur vetëm të hënën e kësaj jave dhe vetëm të martën mund të konsideroheshen të shfuqizuara pikat e cituara nga Ruçi dhe Vasili.

Kështu sipas Presidentit procesi i nisur më 11 prill nuk cënon asnjë dispozitë. E megjithatë Presidenti Nishani e mbyll letrën me shpresën e gjetjes së mirëkuptimit bazuar tek ligji.

“Të nderuar Kryetarë të grupeve parlamentare të PS dhe LSI, pavarësisht qëndrimit të pajustifikuar dhe të pambështetur në ligj të deputetëve të grupeve tuaja parlamentare për të mos miratuar dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pavarësisht pretendimeve të paargumentuara dhe jo të drejta të letrës suaj, unë, si Kryetar i Shtetit Shqiptar, mbetem me besimin se në Kuvendin e Shqipërisë, do të rikthehet praktika ligjore dhe kushtetuese duke respektuar jo vetëm pushtetet dhe institucionet kushtetuese të vendit, por edhe praktikën e konsoliduar prej shumë legjislaturash të këtij Kuvendi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë”- përfundon letra e Presidentit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat