Nishani: Statusi s’duhet të na përgjumë

Shqipëria

Nishani: Statusi s’duhet të na përgjumë

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 20:55

Presidenti Bujar Nishani ka shfaqur një vlerësim krejt të ndryshëm nga ai i Kryzeministrit Edi Rama për Trupin Diplomatik shqiptar, ndërsa theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat nuk duhet të na përgjumë. Në një pritje të organizuar në Pallatin e Brigadave, Kreu i Shtetit theksoi se nuk mund të pretendohet për një diplomaci të mirë pa e mbështetur apo duke e dekurajuar atë.
Me një vlerësim pothuajse të njëjtë me atë të ish-Kryeministrit Berisha, Presidenti Nishani tha se pavarësisht vështirësive e kritikave të bëra ndaj ambasadorëve shqiptarë, ato ia kanë arritur të ja dalin më së miri të përfaqësojnë Shqipërinë. Në këtë kuadër, sipas Nishanit, kjo trupë diplomatike duhet ruajtur nga çdo efekt i drejtpërdrejtë dekurajues.

“Shërbimi ynë diplomatik pavarësisht problemeve ekonomike dhe vështirësitë të kaluar nga tranzicioni ia ka dalë më së miri të përfaqësojë vendin. Është kjo trupë që duhet ruajtur ndaj çdo efekt të drejtpërdrejtë dekurajues. Garantoj se do qëndroj përkrah çdo diplomat. Nga ju kërkoj të jeni në gjendje të përgjigjen pozitivisht pyetjes se çfarë keni bërë që Shqipëria të njihet më shumë” theksoi Nishani

Për Presidentin Nishani ambasadorët kanë pjesën e tyre të meritës duke përcjellë me realizëm zbatimin e detyrimeve që përmbush Shqipëria në avancimin për integrimin. Duke vijuar më tej Nishani thekson se kjo nuk duhet të na çojë me vetëkënaqësi, por në një inkurajim për t’u përqendruar më fort në prioritetet e KE.

“Ju tashmë e keni në zbatim programin e qeverisë, prioritetet e së cilës janë integrimi europian. Shqipëria gëzon statusin kandidat, falë punës ndër vite të bërë nga të gjitha institucionet. Ju keni pjesën tuaj të meritës, duke përcjellë me realizëm zbatimin e detyrimeve që përmbush Shqipëria në avancimin për integrimin. Statusi ishte edhe kurorëzim i mbështetjes të KE dhe vendeve anëtare të BE të cilat ndër vite kanë kontribuar drejtpërdrejt edhe me asistencë dhe programe të posaçme. Realizimi i këtij nuk duhet të na çojë me vetëkënaqësi por një inkurajim për t’u përqendruar më fort në prioritetet e KE. Duke patur edhe garancitë, që tha edhe Presidenti Barroso, askush nuk do të përdorë tezën e lodhjes së zgjerimit nëse përmbushen detyrat. Së shpejti krijohet Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian. Unë dhe qytetarët shqiptarë presim nga ju që çdo ditë, t’ia dedikoni këtij objektivi. Një tjetër shtyllë qendrore përbën zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht marrëdhëniet strategjike si me SHBA e BE dhe sidomos Kosovën, e duke punuar me vende që ndajmë historinë e interesat e përbashkëta. Bashkëveprimi dypalësh duhet të rrisë cilësinë”, theksoi Kreu i Shtetit.

Në vijim, Presidenti Nishani ka kërkuar nga Ambasadorët që t’i dedikohen objektivit të integrimit gjithashtu edhe promovimit të vendit Një ndër pikat që përmendi Nishani ka qenë edhe harmonia fetare duke u bërë thirrje që të shfrytëzojnë vizitën e Papa Françeskut.

“Ne duhet të mbivendosim objektivat e integrimit, dhe promovimin e vendit, ekonomisë, trashëgimisë. Ndër to është edhe trashëgimia shpirtërore e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, mbi bazën e përkatësive dhe bindjeve fetare. Këtë mesazh e vlerë e përmendëm edhe në KiE por ekzistojnë mundësitë për ta rrënjosur edhe më tepër. Vizita e Papa Françeskut është mundësi për t’i bërë edhe më shumë jehonë kësaj.”,u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat