Hoffmann: Reformat dhe modernizimi i shoqërisë, rruga drejt BE-së

Shqipëria

Hoffmann: Reformat dhe modernizimi i shoqërisë, rruga drejt BE-së

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 18:09

Ambasadori gjerman, Hellmut Hoffmann deklaroi të dielën nga qyteti i Ersekës se Shqipëria e ka në dorë që, me anë të një një procesi të vendosur reformash të gjejë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Hoffman ndodhej në Ersekë pasi mori pjesë të dielën në ceremoninë përkujtimore të viktimave të ushtrisë gjermane në vitin 1943, në Borovë të Kolonjës.

“Pas përpjekjeve intensive, Shqipëria ia doli para pak ditësh të bëhet vend kandidat për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është në dorën e Shqipërisë që përmes një procesi të vendosur reformash dhe modernizimi të shtetit dhe shoqërisë të gjejë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha Hoffmann.

Hoffmann vijoi më tej duke thënë se “nëse prej historisë arrijmë të mësojmë të ndërtojmë këtë Evropë, nëse mësojmë se jemi të gjithë pjesë e së tërës dhe se kjo është Evropa e të gjithëve, atëherë mund të themi se kemi nxjerrë një mësim të mirë nga e kaluara jonë e vështirë”.

Gjatë vizitës, Hoffman, bashkë me përfaqësues të komunës, qytetarë dhe veteranë, ka përkujtuar në Borovë, viktimat e një krimi lufte të kryer prej trupave të ushtrisë gjermane. Pas meshës së mbajtur në kishën ortodokse të Borovës, ai vendosi një kurorë me lule në monumentin, në kujtim të ngjarjes historike.

Përpara 71 vjetësh, më 6 korrik 1943, ushtarët gjermanë, vranë në Borovë në mënyrë brutale 107 njerëz, mes të cilëve gra, fëmijë dhe të moshuar. Masakra u krye në shenjë hakmarrjeje ndaj një sulmi partizan kundër një njësie të ushtrisë gjermane.

“Fakti që ne, të gjithë së bashku, gjermanë dhe shqiptarë, përballemi me të shkuarën në një ceremoni të tillë përkujtimore, është një ndër mrekullitë e mëdha, që bëhen të mundura përmes pajtimit”, deklaroi Hoffmann.

Në fjalën e tij, Hoffman solli në vëmendje rëndësinë e zhvillimit dhe të kujdesit ndaj një kulture të përbashkët kujtese:

“Njerëzit që kujtojnë tmerrin që disa njerëz u kanë shkaktuar të tjerëve, nxjerrin prej kujtimit të tyre detyrimin për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe jetën e të gjithë njerëzve”, tha ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, ambasadori Hoffmann shprehu vlerësimin për veprën madhështore të bashkimit të Evropës, si një mësim i shkëlqyer, nxjerrë prej tmerreve të së shkuarës tragjike, duke e vënë theksin mbi mundësitë që i hapen Shqipërisë me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat