Xhihadistët e ISIL, mesazh në shqip: Kush ‘ikën’ gjatë Ramazanit, bekohet

Shqipëria

Xhihadistët e ISIL, mesazh në shqip: Kush ‘ikën’ gjatë Ramazanit, bekohet

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 08:32

TIRANË- Të gjitha mediat kryesore botërore, që nga “Independent” e deri tek “La Reppublica” raportuan dje se, për herë të parë, ‘kalifi’ i vetëshpallur Ebu Bekr Al Bagdadi u shfaq me pamje video duke predikuar në një xhami në Irak. Al Bagdadi është drejtuesi i organizatës ISIL (Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit ose Levantit) që lufton për një shtet islamik dhe që ka pushtuar pjesën më të madhe të Irakut. “Gazeta Shqiptare” ka zbuluar se organizata ISIL ka publikuar në internet një mesazh video të përkthyer më pas formë memorandumi, në 5 gjuhë: Anglisht, Gjermanisht, Frëngjisht, Rusisht dhe Shqip. Në këtë mesazh, drejtuesi i organizatës xhihadiste, Al Bagdadi që është në fakt një “shinning star” i terrorizmit ndërkombëtar, flet për luftën e shenjtë që duhet të zhvillojnë myslimanët për të ndërtuar Kalifatin apo shtetin islamik. ISIL publikoi pak ditë më parë një hartë ku Ballkani shfaqej i ngjyrosur me bojëra islamike. Shumëkush u tall në rrjetet sociale me Ballkanin e Al Bagdadit, por në terren situata nuk duket aq qesharake. Mjaft shqiptarë janë të lidhur me organizatës ISIL (anglisht: ISIS), pasi kanë shkuar të luftojnë për llogari të kësaj organizate në Siri. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka akuzuar imamin Abdurraim Balla dhe besimtarë të tjerë se kanë dërguar në Siri njerëz për të luftuar për ISIL dhe Al Nusra.

MESAZHI I AL BAGDADI
Nuk ndryshon shumë nga thirrjet e “kokave” të tjera të terrorit: Shkoni vrituni se do të shkoni në Parajsë. Pak a shumë në filozofinë e Bin Ladenit: Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë. “Nuk ka punë më të mirë në këtë muaj të ndershëm ose në ndonjë muaj tjetër sesa xhihadi në rrugë të Allahut, kështu që përfitoni prej kësaj mundësie dhe ecni në rrugën e të parëve tuaj. Ndihmojeni fenë e Allahut nëpërmjet xhihadit në rrugën e Allahut. Shkoni përpara, o muxhahida në rrugë të Allahut. Terrorizoni armiqtë e Allahut dhe kërkoni vdekjen në çdo vend që mund ta gjeni atë, sepse dynjasë do ti vijë fundi kurse ahireti është i përjetshëm”, thuhet në mesazhin e Al Bagdadit të publikuar në gjuhën shqipe. “Kalifi” i vetëshpallur predikon që nuk duhet të jemi koprracë me jetët dhe me pasuritë tona. “Dhe i bekuar është ai i cili largohet nga kjo dynja në Ramazan dhe e takon Zotin e tij në një prej këtyre ditëve të mëshirës. Kështu që kapni armët, kapni armët, o ushtarët e shtetit islamik! Dhe luftoni, luftoni!”, thuhet në mesazhin shqip të Al Bagdadit të publikuar nga ISIL në internet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat