Basha nga Dibra: Pa alternativë nuk ka vlerë, mazhoranca ka dështuar në premtime

Shqipëria

Basha nga Dibra: Pa alternativë nuk ka vlerë, mazhoranca ka dështuar në premtime

Më: 3 korrik 2014 Në ora: 17:59

Kreu i Partisë Demokratike është shprehur se pa alternativë nuk ka vlerë dhe se mazhoranca ka dështuar në çdo premtim të sajin. Këtë deklaratë Basha e dha nga qyteti i Dibrës, ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD në këtë qytet.

“Pa alternative nuk ka vlerë. E ku e shohim këtë më qartë se tek Rilindja. U turrën të rrejnë e të gënjejnë për 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, legalizim falas rend brenda 300 ditëve. Asnjë alternative, asnjë vlerë dhe kjo është arsyeja se vlera nuk është parimi i kësaj qeverie. Kjo është arsyeja sepse po vërshojnë kriminelët e po emërohen në poste drejtuese. Sepse vlera nuk ka asnjë vlerë për këtë qeveri”, tha Basha.

Ai shtoi se qytetarët po përballen sot me papunësi në rritje, varfëri , pasiguri për jetën, me mungesë shprese për të ardhmen. Sipas Bashës, në këtë situatë është detyrë e PD-së e t’u përgjigjet shpresave që qytetarët kanë sot te kjo parti për mirëqenie, zhvillim dhe integrim.

“Nuk kemi detyrë vetëm të mbrojmë vlerat e lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut. S’jemi thjesht gardianë, ne jemi promotorë të zhvillimit përmes punës së ndershme, përmes virtyteve më fisnike të njeriut. Ne kemi detyrë të madhe t’i japim krahë, shpresë dibranëve dhe gjithë shqiptarëve të lirisë, të zhvillimit, të mirëqenies, të standardit europian dhe të barazisë para ligjit për çdo shqiptar”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat