Kuvend, shpërthen Topalli: Për ç’gjueti lepuri e derri flisni, pasi u vra një bankier?! (Video)

Shqipëria

Kuvend, shpërthen Topalli: Për ç’gjueti lepuri e derri flisni, pasi u vra një bankier?! (Video)

Më: 3 korrik 2014 Në ora: 14:41

Ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka ndërprerë fjalën sot në Kuvend, deputetit Besnik Bare ndërsa ai diskutonte për kthimin e shpendëve migratore dhe gjuetinë e paligjshme dhe ka insistuar të lihej ajo çështje dhe të flitej për vrasjen e ndodhur para një jave, atë të bankierit Artan Santo, pasi nuk ishte koha për “gjueti lepuri e derri me drita natën” por për sigurinë publike.
Duke i ndërperë fjalën Bares, Topalli u ngrit në këmbë nga salla dhe iu drejtua N/Kryetarit të Kuvendit, Vangjel Dules, që drejtonte seancën:
“Z.Dule, në këtë vend po ndodhin gjëra shumë të rënda e ju po flisni për gjueti lepuri e derri me zagarë e me drita natën…
Kryeministri nuk është, kurse Ministri i Jashtëm qesh kur këtu para një jave ka ndodhur një vrasje e rëndë, mafioze, që ka tronditur tërë opinin publik. Përse nuk flisni? Në cilin vend të botës ndodh që të tronditet vendi nga vrasje të panumërta dhe s’ka reagim? Me kë po tallemi? Ku jemi? Ku është mazhoranca? Pse ka karrige bosh?
Z.Dule, si kryesues i kësaj seance, ju nuk mund të bëni sikur nuk dini gjë dhe sot duhet të diskutojmë për atë që është çështja e ditës, siguria e jetës, kontrolli i kufijve. Kjo është detyra e parë e çdo politikani dhe qytetari.

Baraj: Për ç’ndjeshmëri e vrasje më flisni, kur thua “ti meriton plumb ballit”!

Por, i menjëhershëm ka qënë reagimi i Bares direkt nga foltorja, i cili, duke iu drejtuar Topallit, i tha se “ti je njeriu më agresiv në historinë e Parlamentit”.
“Mua më vjen keq që vendos në fjalën e saj, znj.Topalli, ato fjalë që unë thashë,”- tha Baraj, – “dhe për këtë unë dua të citoj vetëm një nobelist, i cili, që në vitin 1952 thoshte:
“Ajo shoqëri që nuk është në gjendje të respektojë qëniet më të thjeshta, qofshin bimë dhe kafshë, kurrë nuk do mundë të respektojë qënien e ngjashme me vetveten!” Dhe këtë ti e manifeston më mirë se askush!
Je personi më agresiv në të gjithë historinë e Parlamentit këtu, që ke fyer njerëz pa fund, nga nëna, nga baba. I ke kapur njerëzit i ke thënë “kape mor për zhelesh”, nëpër emisione televizive “ti meriton plumb ballit!” dhe ti më flet këtu mua për ndjeshmëri, për vrasje?! Po nga goja jote kanë dalë vetëm shenja dhune dhe agresiviteti,”- tha Baraj dhe u largua nga foltorja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat