Tre të plagosur nga snajperat në Lazarat/ 4700 policë kundër 2000 banorëve civil (pleq dhe fëmijë)

Shqipëria

Tre të plagosur nga snajperat në Lazarat/ 4700 policë kundër 2000 banorëve civil (pleq dhe fëmijë)

Më: 18 qershor 2014 Në ora: 09:39

Tri persona janë plagosur dje në Lazarat gjatë operacionit të policisë që po mban nën terror 5 mijë banorë. Bëhet e ditur se të plagosur kanë mbetur dy barinj dhe një punonjës policie. Rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme mbeti i plagosur në dorë dhe në këmbë një 19-vjeçar nga Ura Vajgurore që punonte si bari. Bariu ka mbetur i plagosur në qendër të fshatit të Lazaratit. 19-vjeçari ishte duke shkuar në dyqan për të marrë një paketë duhani, por ka mbetur i plagosur pas të shtënave të armëve.

Pas mjekimit të marrë në spitalin e Lazaratit, i plagosuri është transportuar në spitalin e Tepelenës. Ky vendim është marrë nga ekipi mjekësor. Një dëshmitar në vendin e ngjarjes tregoi për mediat se i riu ishte futur në dyqan për të marrë një paketë cigare. “Sapo ka dalë nga dyqani ai është qëlluar me plumba në dorë dhe në këmbë. Pamë se si u rrëzua në tokë, ndërsa dora iu mbulua me gjak. Dy persona e morën dhe e dërguan në spital”, tregon një nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes.

Pa kaluar as gjysmë ore nga plagosja e 19-vjeçarit, rreth orës 16:25 u plagos në bark një tjetër bari në qendër të fshatit Lazarat. Përsëri i plagosur nga plumbat ka mbetur një bari. Bëhet e ditur se 33-vjeçari F.M., nga Pogradeci ka mbetur i plagosur rëndë në bark në qendër të fshatit nga breshëritë e plumbave. “Edhe bariu tjetër mbeti i plagosur në qendër të fshatit. I plagosuri nuk është nga Lazarati, por banon prej vitesh këtu. Kërkuam makinë që ta dërgonim në spital”, u shpreh kreu i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko.

Gjendja e 33-vjeçarit nga Pogradeci është mjaft e rëndë si pasojë e plagëve të marrë nga plumbat dhe për këtë arsye ai është nisur drejt Spitalit Ushtarak. Fillimisht bariu që u plagos në Lazarat u dërgua në spitalin e Gjirokastrës, por pas plagëve të marra në bark, ka nevojë për mjekim më të specializuar.

I plagosuri i tretë është një punonjës i Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, i cili ishte i dislokuar me shërbim gjatë natës në Lazarat. Punonjësi i policisë i është nënshtruar një operacioni dhe tani është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se polici, pjesë e FNSH-së së Shkodrës, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e plumbit.
Ndërkohë, gjendja në Lazarat vazhdon të jetë mjaft e tensionuar. Mijëra banorë përjetojnë çaste tmerri dhe paniku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat