Bashkia, 1970 familje përfitojnë banesa sociale

Shqipëria

Bashkia, 1970 familje përfitojnë banesa sociale

Më: 1 maj 2014 Në ora: 17:48

Mbledhja e Këshillit Bashkiak ka nisur me debate nga ana e këshilltarëve të majtë e të djathtë. Shkak ka qenë shkresa e prefektit të Tiranës Sadi Vorpsi për projektbuxhetin e vitit 2014. Të majtët kanë kërkuar që shkresa që i referohet shpronësimeve në Bulevardin i Ri të përfshihet në rend, ndërsa të djathtët e kanë argumentuar këtë shkresë si një akt që i tejkalon kompetencat dhe kanë kërkuar kohë për t’i dhënë përgjigje prefektit. Pas dy orësh, Këshilli Bashkiak ka filluar mbledhjen sipas rendit të ditës ku është diskutuar dhe janë hedhur në votim 7 pikat e përcaktuara. Një prej projektvendimeve më kryesore, ai i përcaktimit të vlerës maksimale dhe minimale të qirasë, sipas strukturave të apartamenteve dhe të vlerës minimale dhe maksimale të të ardhurave të familjeve që do të përfitojnë banesat sociale me qira në Shkozë, është miratuar unanimisht nga anëtarët e Këshillit.

Sipas këtij vendimi, niveli i qirasë për garsonierat varion nga 3.920 lekë, që është vlera minimale, në 7.840 lekë, vlera maksimale. Për apartamentet 1+1 vlerat e qirave variojnë nga 6.790 lekë-13.580 lekë, për strukturat e apartamenteve 2+1, qiratë do të variojnë nga 7.840 lekë-15.680 lekë. Ndërsa për apartamentet më të mëdha, me strukturë 3+1, niveli i qirasë është 9.310 lekë deri në 18.620 lekë. Në total janë 385 apartamente, ndërsa numri total i familjeve të pastreha që kanë aplikuar është 1970. Pjesë e rendit të ditës ishte edhe emërtimi i një rruge me emrin e përkthyesit Mahmud Bobrati, si dhe dhënia në përdorim të godinës së ish-Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave të Mesme, Gjykatës Administrative të Apelit.

Debatet

Gazheli: Unë kërkoj përfshirjen në rend të letrës së prefektit, drejtuar bashkisë për projekt buxhetin e 2014.

Kosovrasti: Duke parë me kujdes shkresën e prefektit, kam këto komente. Ka qenë një gjë e shkëlqyer kur të gjithë këshilltarët në mënyrë unanime arritëm të miratojmë vendimin për miratimin e projektbuxhetit për Bashkinë e Tiranës. Unë vë re sa ka një problematikë lidhur me qëndrimet që kemi për atë që ligji i jep Këshillit. Nëse prefekti ka një ligj për çështjen, ndërhyrja e tij nuk e pezullon zbatimin e ardhshëm. Prefekti ndërhyn, por zbatimi duhet të kishte vazhduar. Prefekti thotë që konfirmohet akti. Më pas, në mbështetje të një VKM-je prefekti bën ndërhyrje, por akti është konfirmuar. Nuk e di çfarë do diskutojmë kur akti është konfirmuar nga prefekti.

Gazheli: Të hiqet pjesa e shpronësimeve për zgjatimin e bulevardit, thotë prefekti. Nuk konfirmohet pjesa e zgjatimit të bulevardit.

Bozdo: Projektbuxheti u miratua me unanimitet dhe inkorporoi bulevardin në projektin e tij. Unë besoj që këshilli nuk ka të drejtë të votojë për atë që është shprehur njëherë. Prefekti shpreh shqetësimin që vlera nuk është e plotë. Ne mund ta rishikojmë vlerën e shpronësimit dhe të na jepet një javë kohë për t’i dhënë një përgjigje edhe prefektit. Çdo ridiskutim nuk ka sens dhe vlerë juridike.

Bezhani: Buxheti, nëse bashkia kërkon, jemi dakord të bëjmë një mbledhje javës tjetër.

Berberi: Ne duhet të ofrojmë një buxhet që të garantojë koston e nevojshme të shpronësimeve.

Bozdo: Buxheti të mos bllokohet dhe kjo është arsyeja që në emër të administratës të rishikojmë shifrat.

Dalipi: Nuk keni votuar ende rendin e ditës dhe po diskutoni për një çështje që nuk është në këtë rend. Gazheli:Unë isha shumë i qartë dhe i prerë për atë që thashë në Këshillin Bashkiak. Ne kërkojmë futjen në rendin e ditës së shkresës së prefektit.

Kosovrasti: Ç’kuptim ka të lexojmë shkresën e prefektit? Për mua nuk ka vend dhe nuk mund të operojmë kështu.

Guxholli: Në buxhetet në vijim duhet të pasqyrohet shuma totale. Duhet proceduar me rishikimin e shifrave dhe më pas mund të vijohet.

Myslia: Akti që ka sjellë prefekti tejkalon kompetencat.

Salianji: Kërkoj të mblidhet komisioni juridik dhe ta shqyrtojë. Për këtë kërkoj 5 minuta pushim.

Bozdo: Për çfarë duhet të mblidhet komisioni juridik?

Salianji: Ne nuk jemi administratë dhe nuk mund të na kërkosh llogari. Ju përgjigjeni sikur na keni marrë ju në punë.

Bozdo: Nuk futet në rendin e ditës letra e prefektit, megjithatë Këshilli është ai që merr vendimin. Sot ne e kemi buxhetin të miratuar nga prefekti i Tiranës. Humbja e kohës nuk na shërben as ne as qytetarëve.

Gazheli: Nuk ke lënë varrezë pa dalë duke akuzuar se nuk kemi buxhet. Nuk ke lënë baltë pa hedhur mbi të gjallë e të vdekur.

Bozdo: Projektbuxhetin e sjell kryetari i bashkisë dhe ju keni të drejtë ta miratoni a jo. Tirana sot është pa buxhet.

Protesta

Dhjetëra banorë janë përfshirë në një protestë gjatë pasdites së djeshme para Bashkisë së Tiranës, vetëm pak minuta para nisjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Ata kanë kërkuar me ngulm t’u shfaqet kryebashkiaku Basha, por ai nuk i është përgjigjur kërkesës së tyre. Qytetarët kërkojnë anulimin e pikës 2 të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, për shpronësimin e tokave të tyre, pasi shtëpitë e tyre janë ende të palegalizuara. “Bashkia e Tiranës zbaton vendimin e Këshillit të Ministrave. Duhet të ndryshojë VKM-ja që banorët të marrin vlerësimin real të truallit. Ne kërkojmë që të vihen në vend të gjitha shkeljet që kanë bërë grupet e punës.

Të bëhet legalizimi i banesave. Të jetë bërë regjistrimi dhe më pas të fillojë vlerësimi i pronave. Ne duam të takojmë kryetarin e Bashkisë që të kërkojmë rrëzimin e VKM-së. Sot bashkinë e drejton Eno Bozdo që nuk ka të drejtën e firmës. Ne jemi për ndërtimin e bulevardit, por nuk duhet të bllokohet buxheti që të marrin shtëpitë tona. Na e kanë bllokuar që në datën 18. 10. 2013. Mua më vjen keq që mediat nuk merren me problemet sociale tona. Prefekti nuk ka tagër ligjor, ndërsa Këshilli Bashkiak merr vendimet për ne”, - u shpreh njëri nga banorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat