Kokëdhima Berishës: Ka perënduar koha juaj, do të mbetesh një hiç

Shqipëria

Kokëdhima Berishës: Ka perënduar koha juaj, do të mbetesh një hiç

Më: 24 prill 2014 Në ora: 20:42

Ish-kryeministri, Sali Berisha ashtu siç ka bërë shumë herë në Kuvend dhe jashtë asaj salle, ka lëshuar akuza në drejtim të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Akuzat e Berishës kishin të bënin me kontroll të burimeve të naftës në vend, me shkresa drejtuar Doganës si dhe me një ndërtesë paleje në bregdetin e Qeparosë.

Në kundërpërgjigjen e tij (që ishte edhe fjala e parë në Kuvend), Kokëdhima i kujtoi Berishës se, ka humbur çdo betejë ligjore përballë tij. Deputeti i mazhorancë theksoi se edhe akuzat e sotme ishin shpifje dhe të pavërteta.

Kokëdhima ka nënvizur gjatë fjalës në Kuvend se, Berisha është përgjegjës për “Bathorizimin e bregdetit shqiptar” dhe se, është përgjegjës për kontrollin e territorit. Ai e mbylli fjalën duke thënë se, “përfituat nga përçarja e së majtës.... ka perënduar koha juaj, do të mbeteni një hiç”.

Deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima: Nëse do të kishit pak sensin e drejtësisë nuk do t’ju bënte përshtypje kërkesa ime për të folur këtu, sepse nuk e kam përdorur asnjëherë për të mbrojtur veten time, përkundrazi (i drejtohet zv.kryetarit të Kuvendit, Vangjel Dule i cili kryesonte seancën parlamentare).

Më vjen shumë keq që duhet të flas për herë të parë në këtë foltore, pikërisht, sot pas shpifjeve të radhës të këtij zotërisë që ka manifestuar aktet më të qarta të shthurjes së vend mendore dhe morale. E boton zotëria një ndërtim në bregdet dhe shkruan; 'kjo është kështjella e Koços'. E boton pastaj tek RD-ja e tij dhe del këtu dhe na lexon po shpifjen e tij në mëngjes dhe na e nxjerr si një burim jashtë vetes.

Vite me radhë zotëria e ka përdorur këtë foltore për të hedhur baltë mbi të gjithë ata njerëz që ka pasur përballë. Sa qindra fjalime ka bërë ky zotëria për mua? Qindra shpifje dhe qindra përgojime ka bërë ky zotëria këtu për punën time, të kompanive të mia dhe për çështjet që nuk kanë qenë fare objekt i detyrës së tij.
Edhe sot përmend gjëra me të cilat unë nuk kam asnjë lidhje. Në bregdet jetojnë njerëzit e mi, kushërinjtë, vëllezërit, të mbiemrit tim. Nuk them as që më dëgjojnë, as që nuk më dëgjojnë, por ata bëjnë jetën e tyre ashtu siç është ajo jetë. Unë kurrë nuk kam këshilluar jo njerëzit e mi, por askënd tjetër të rrezikoje të ekspozohet në shkelje të ligjit me biznesin e vet. Këtë e dinë edhe shume njerëz, edhe nga ju që kanë punuar me mua. Kemi punuar bashkë në kompani të ndryshme dhe bazimi tek ligji ka qenë themeli i sigurisë time në këtë vend.

Kam qenë përballë këtij burrit këtu dhe përballë Fatosit 20 vjet me radhë dhe kam bërë një shtyp opozitar për 20 vjet me radhë. Kanë shpikur lloj-lloj gjerash ndaj meje, por asgjë nuk kanë ndjekur në rrugë ligjore, nuk keni fituar asnjë proces ligjor ndaj meje. Unë jam bazuar tek ligji e ju tek shpifjet. Deri në qershor t’iu them të drejtën kjo ishte një histori me shqetësonte, vetëm për një arsye, pasi nëna ime është në moshë të thyer dhe sa herë shihte televizorin, trembej nga Saliu, se e mendonte se Saliu ishte si Enveri dhe të bën gjëmën. Dhe nuk e dinte se si ishin shprehjet e këtij personi. Dhe sot që më ndjek, i them mos ki frikë nga shpifjet e Saliut, por jeto e qetë, se populli të ka çliruar prej tij.

Del zotëria dhe thotë se ju po bëni shkatërrimin e bregdetit, se ju po shkatërroni pasuritë e atyre njerëzve në mënyrë selektive etj etj... Ju e latë këtë popull pa Atdhe dhe e Bathorizuat gjithë bregdetin e vendit. Ju zotëri jeni përgjegjës për kontrollin e territorit dhe zhvillimin e territorit. Unë mund të them se qeveria jonë nuk ka një fushatë prishjesh dhe shkatërrimi ne bregdet, por ka një fushatë dhe një plan për të rindërtuar bregdetin, për të rikthyer mundësinë që ai popull që jeton në Himarë të mos varfërohet, por të jetojë më pasuritë e veta e me punën e vet. Edhe projekti që zhvillohet tani në Himarë dhe në fshatrat përreth synon përmirësimin e zonës, dhe shërimin nga ndërtimet e dëmshme, që dëmtojnë këtë territor.

Ju e latë popullin pa ekonomi konkurruese, dhe kujtoni se gjithë këtë papërgjegjshmëri absolute do ta kaloni duke hedhur baltë mbi këtë e mbi atë. Duke dalë këtu goxha burrë si gratë e liga duke u marrë vetëm me shpifje me asgjë serioze. Kurrë nuk morët përgjegjësi që luajtët me këtë vend. Çfarë bëri në gjithë këto vite kjo administratë, këta gjykatës dhe këta shtetarët tuaj, u sollën në këtë vend si pushtues dhe jo si administratë e këtij shteti e në shërbim të popullit. Tani juve iu duket sikur do bjeri, Çfarë do bjeri? Nuk bie asgjë nga hetimi i korrupsionit të gjykatës dhe administratës. Ju përfituat gjithë këto vite nga përçarja e të majtës, por nuk do përfitosh më. Ka ikur njëherë e përgjithmonë koha jote, ka perënduar koha jote dhe do ta shikosh që përballë të majtës së bashkuar do jesh gjithmonë një hiç.

Zotëria këtu i morri pasuritë e naftës popullit shqiptar dhe asnjë të ardhur nuk përfitoi buxheti i shtetit shqiptar dhe populli shqiptar nga pasuritë e veta natyrore. Ia dha zotëria të gjithë atyre që ndante interesat dhe për këtë do të përgjigjesh, se ke luajtur me pasuritë e shqiptarëve. Ti je përgjegjës për gjithë këto krime këtu. Ky vetëm shpif si makineri dhe nuk funksionon në marrje. “Albpetroli” zotëri në gjithë këto vite që e drejtove ti Shqipërinë, vetëm 3 milion dollarë morri Shqipëria, ndërsa tani paguan fitin në buxhetin e shtetit 5 milion dollarë në tre muaj dhe 10 milion dollarë taksa në muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat