Gjiknuri: Kuadër rregullator, investimet në naftë do të garantohen

Shqipëria

Gjiknuri: Kuadër rregullator, investimet në naftë do të garantohen

Më: 24 prill 2014 Në ora: 18:39

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ishte i pranishëm në forumin me temë “Promovimi i nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse dhe përfitimi i komuniteteve”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast ai deklaroi se në vendet që kanë industri nxjerrëse, ekziston gjithmonë një tension, nëse merr publiku atë që meriton dhe a është mjedisi i duhur për biznesin për të investuar në këta sektorë.

Ai tha se ky është një tension normal, pasi publiku dhe politika pret që kompanitë të jenë më transparente dhe që pjesa që i takon publikut të shkojë, pra interesi publik të mbrohet, duke shtuar se nga ana tjetër nuk duhet që për shkak të këtij tensioni të vihet në diskutim edhe zhvillimi i industrive nxjerrëse.

“Industritë nxjerrëse janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, e cila është e bekuar me burime natyrore. Në shumë vende, shpesh thonë se edhe burimet natyrore mund të sjellin atë që quhet “dutch disease”, mallkimi i atyre vendeve që kanë pasuri. Sepse shpesh, e gjithë vëmendja përqendrohet tek industritë nxjerrëse dhe harrohen shumë burime të tjera që ka ekonomia. Megjithatë, unë them se Shqipëria është e bekuar që i ka këto burime dhe ka shumë mundësi që të zhvillojë industri të lidhura me industrinë nxjerrëse. Ka rëndësi, jo vetëm nxjerrja e mineraleve, jo vetëm nxjerrja e burimeve natyrore si nafta, por edhe zhvillimi i zinxhirit të përpunimit të tyre. Një gjë që fatkeqësisht, nuk ka ecur siç duhet në Shqipëri këto vite”, u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, industritë përpunuese qoftë të naftës, qoftë edhe të mineraleve të tjera janë në një stad të prapambetur, janë shumë pak industri që janë aktive, duke nënvizuar se kjo ka ardhur për shkak të mungesës së vëmendjes, politikave nxitëse dhe shumë elementëve të tjerë të tregut, por edhe mënyrës sesi janë alokuar të drejtat për të shfrytëzuar pasuritë natyrore.

Referuar ministrisë që ai drejton, Gjiknuri deklaroi se po mendohet se pa një kontroll më të mirë të sektorit minerar, të sektorit të industrisë nxjerrëse, nuk mund të ketë transparencë të qartë për publikun.

Në këtë linjë ai bëri me dije se ndodhen në një dialog me industrinë nxjerrëse të naftës, duke dashur që të krijohet një kuadër rregullator shumë më i mirë, që edhe investimet në naftë të garantohen, por njëkohësisht edhe publiku të marrë atë që meriton.

Ndër të tjera minsitri theksoi se, “Në Shqipëri, shpesh ka ndodhur fenomeni i marrjes së licencave për t’i tregtuar. Ky është fenomen vrastar! Ky vërtet krijon lidhje të shkurta me politikën, por fatkeqësisht nuk ndihmon zhvillimin e industrisë. Prandaj, qeveria jonë ka marrë një vendim që për burimet e tjera të naftës, për fushat e tjera të pazbuluara, për fusha të tjera me mundësi të mëdha për eksplorim, të jepen nëpërmjet proceseve të ankandeve, proceseve të transparencës dhe të konkurrencës. Ky është një vendim i rëndësishëm që do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri pas 20 vitesh. Edhe interesi në sektorin e naftës është rritur, sidomos pas zhvillimeve të fundit me gjetjen e naftës nga Shell-i. Në disa zona të Shqipërisë, interesi nga kompanitë ndërkombëtare është rritur dhe unë përfitoj t’ju them të gjithëve se Shqipëria është shumë e interesuar për të gjithë investitorët seriozë, të vijnë të investojnë në këtë fushë”.

Po ashtu ministri bëri me dije se së shpejti institucioni që ai drejton do të paraqesë ndryshimet ligjore përsa i përket ligjit minerar, ku do të adresohen shumë nga ato probleme të cilat vazhdimisht kanë lënguar në këtë sektor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat