Universiteti i Mjekësisë në ngërç

Shqipëria

Universiteti i Mjekësisë në ngërç

Më: 24 prill 2014 Në ora: 11:50

Merr të tjera përmasa kaosi i shfaqur në njohjen e diplomave për studentët e mjekësisë, si dhe procedurave të diktuara së fundmi në për zgjedhjen e drejtuesve të rinj që do të udhëheqin departamentet mjekësore dhe shërbimet e qendrave spitalore. Krahas problemeve me vlefshmërinë e diplomës, një tjetër pakënaqësi e evidentuar në radhët e studentëve të Universitetit të Mjekësisë, është heqja e të drejtës së votës në përzgjedhjen e drejtuesve të fakulteteve. Ndryshimet e reflektuara në projektligjin e arsimit të lartë, që konfirmojnë heqjen e konkurseve dhe rikthimin e emërimeve si formë për përzgjedhjen e drejtuesve të departamenteve në fakultete, si dhe shërbimeve në QSUT, kanë nxitur edhe më tej reagimin e studentëve, të cilët protestën e radhës nuk e kanë zhvilluara pranë ambienteve të universitetit, por tek Kryesia e Kuvendit, ku dhe po diskutohej në Komisionin Parlamentar të Medies rreth ndryshimeve të propozuara në projektligjin e ri të arsimit. Studentët gjatë protestës kërkuan përgjigje për tre shqetësime që po cenojnë formimin e tyre. ”Jemi para kryesisë së Kuvendit për të protestuar dhe për të shtruar 3 pyetje. Ku janë diplomat tona? Ku është vota e studentit? Ku është autonomia e universitetit”, vunë në dukje studentët. Sipas tyre, ndryshimet e reflektuara në projektligj, jo vetëm që cenojnë të drejtën e votës së studentëve në zgjedhjen e drejtuesve të strukturave universitare, por cenojnë edhe autonominë e vetë fakulteteve, pasi lejojnë emërimin e njerëzve që mund të mos jenë pjesë e stafeve mjekësore. Protesta e studentëve ka zgjatur për më shumë se dy orë, ku studentët kanë paralajmëruar vijimin e protestave në rast se problematikat e tyre nuk do të marrin një zgjidhje më të përshtatshme nga institucionet përgjegjëse, ndaj të cilave janë ngritur akuza të shumta se po cenojnë procesin e kualifikimit të studentëve në profilet përkatëse. Madje në protestën e zhvilluar dy ditë më parë studentët theksuan se nëse do vijojë heshtja,parashikojnë edhe hyrjen në grevë urie.

Përçarje, edhe mes drejtuesve të universitetit e fakulteteve

Gjithashtu ndryshimet e propozuara, kanë theksuar edhe më shumë ndasitë mes drejtuesve të universitetit, dekanëve dhe stafit të pedagogëve. Këta të fundit të thirrur për të marrë pjesë në seancën e diskutimeve mbi projektligjin që u zhvilluan në komision kanë replikuar me drejtuesit e universitetit se ndryshimet nuk mund të sjellin ndikime pozitive, pasi më parë duhen akredituar programet dhe më pas të lejohet hapja e specialiteteve të reja dhe lëshimit të diplomave. Rektori i Universiteti të Mjekësisë Ali Refatllari, së bashku me kreun e Këshillit të Profesorëve, Mihal Tase kanë sqaruar para anëtarëve të komisionit se zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të jetë i përkohshëm deri sa të marrë formë ligji i ri i arsimit të lartë. Më pas do të çelen sërish konkurrimet për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në këto struktura. Më tej, ata kanë sqaruar se rikthimi i departamenteve në Universitetin e Mjekësisë është i domosdoshëm duke pasur parasysh eficencën që do të sjellin në rikthimin e lirive dhe autonomisë akademike që duhet të gëzojnë strukturat universitare. Ndërmjet drejtuesve të fakulteteve dhe universitetit janë shkëmbyer akuza edhe sa i takon nxjerrjes në protestë të studentëve, dhe keqinformimit të shfaqur në lidhje me diplomat e tyre. Më herët një pjesë e pedagogëve kanë kërkuar që mjekësia të rikthehet sërish nën varësinë e Universitetit të Tiranës, pasi në këtë formë studentët nuk do të kenë probleme me njohjen e diplomave apo vijimin e kualifikimeve jashtë vendit, sikundër ka ndodhur që nga janari i 2013, kohë në të cilën u miratua krijimi i Universitetit të Mjekësisë dhe fakultetet e specialiteteve mjekësore kaluan nën varësinë e tij. Rektori Refatllari ka sqaruar në komision se ky universitet pavarësish formës se si u krijua, do të funksionojë normalisht, teksa ka shtuar nisjen e procedurave për akreditimin e tij, sikundër po ndodh me të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend. Prej muajsh studentët po protestojnë për mosnjohjen e diplomave, që pas kalimit në Universitet të Mjekësisë dhe shkëputjes nga Universiteti i Tiranës.

Heqja e konkurseve

Drejtuesit e fakulteteve në Universitetin e Mjekësisë, por edhe shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tashmë do të përzgjidhen në bazë të kritereve të vendosura nga qeveria pas propozimeve të marra nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Për një kohë të caktuar nuk do të ketë më konkurse dhe votime studentësh në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj, por vetëm emërime të miratuara nga Qeveria.

Ali Refatllari

Ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri të arsimit të lartë konsiderohen pozitive nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Ali refatllari, i cili ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se këto ndryshime nuk pengojnë autonominë e universitetit pasi janë për një periudhë tranzitore. Sipas tij, ndryshimet duhet të prekin vetëm strukturat e bordit që do të merret me zgjedhjen e të propozuarve. ”Me këto ndryshime që kemi parë dhe me këto borde ku ka pasur konflikte interesi të pastër, ku anëtarët e komisionit janë zgjedhur vet shefa. Mjafton të merrni anëtarët e komisionit, i cili prej tyre është shef shërbimi sot. Kemi shkelur kriteret ligjore, kemi hapur një konflikt të hapur interesi. VKM-të, për momenti mund të jenë të vlefshme, nëse janë transparente me publikun. Unë nuk shikoj ndonjë diferencë të madhe do kaloj ligji nga VKM-ja, në qoftë se të dyja do të jenë transparente”, deklaroi gjatë mbledhjes së komisionit rektori Refatllari. Sipas tij, në tetor pritet të çelen edhe specializimet. Aktualisht janë duke u mbledhur propozimet përkatëse në shërbimet spitalore, lidhur me hapësirat e specializimeve sipas profileve përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat