Gjin Gjoni fshehu 3 miliardë lekë pasuri

Shqipëria

Gjin Gjoni fshehu 3 miliardë lekë pasuri

Më: 24 prill 2014 Në ora: 08:46

Apartamente luksoze, vilë, biznese milionere, udhëtime anekënd botës, duke mos ju dridhur dora për çerek milion euro. Është kjo pak e shumë, pjesa e dukshme e pasurisë, në total rreth 3 miliardë lekë të vjetra, të njërit prej gjyqtarëve shqiptarë dhe bashkëshortes, grua biznesi, e cila është zbuluar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, që dje kallëzoi penalisht gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë njëkohësisht dhe anëtar i KLD-së, Gjin Gjoni si dhe bashkëshorten e tij, Elona Çaushi. Një personazh i njohur, i cili, vetëm pak ditë më parë u denoncua nga një koleg për abuzime me detyrën e gjyqtarit, deri edhe te vrasja në aksident e një 13-vjeçareje.

Por ndërsa Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bën publike pasuritë, ai me bashkëshorten kallëzohen penalisht për fshehje të pasurisë dhe falsifikim dokumentesh. Përveç kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme, për fillimin e procedimit penal ndaj Gjonit, me funksion gjyqtar, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe bashkëshortes së tij, Elona Çaushi, ILDKPKI-ja ka paditur edhe noteret Margena Çela dhe Gentiana Shkodra për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, dhe korrupsionit. ILDKPKI u shpreh se do të njoftojë Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ministrin e Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për shkeljet e konstatuara, ku bëhet fjalë për fshehje të një pasurie prej 1 842 796 euro, 180 mijë dollarësh dhe 53 270 000 lekë, në total rreth 3 miliardë lekë të vjetra pasuri që nuk është deklaruar.

Pasuria

Ndonëse me një rrogë modeste, afërsisht 1000 euro në muaj, gjyqtari Gjoni, për pak vite punë, është shndërruar në miliarder. Rroga prej zyrtari nuk e ka penguar që të marrë hua deri në 160 mijë euro në bankë, apo të japë hua deri në 300 mijë euro. Me këto të ardhura ka blerë edhe supervilën më të shtrenjtë në një qendër rezidenciale në fshatin Farkë të Tiranës, e cila kushton, fillimisht, rreth 700 mijë euro. Por duke patur një superapartament në Tiranë, me vlerë mbi 176 mijë euro. Gjyqtari u mbrojt mbrëmë, duke deklaruar se ato janë pasuri të trashëguara nga e shoqja, para martesës. Zyrtarisht kjo e fundit zotëron shumë biznese, ku është vetë pronare ose të tjera, ku është bashkëpronare. Dhe për një çift të tillë, edhe udhëtimi ka një kosto marrëmendëse: 250 mijë euro, vetëm për hyrje-daljet nga Shqipëria.

I pyetur nga radio “Zëri i Amerikës”, Gjoni e konsideroi absurde të gjithë këtë situatë dhe faktin se ai nuk është thirrur për asnjë lloj shpjegimi nga Inspektoriati, por e ka marrë vesh denoncimin ndaj tij vetëm nga mediat dhe se pasuritë i takojnë bashkëshortes së tij dhe janë krijuar para se ata të martoheshin. Sipas gjykatësit Gjoni, e gjitha kjo është një farsë politike, që përmes tij të goditet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të justifikohen ndërhyrjet që, sipas tij, shumica kërkon të realizojë në Drejtësi. Gjykatësi Gjoni u vu ditët e fundit në qendër të vëmendjes pas sulmeve që kishte drejtuar ndaj tij edhe kryetari i gjykatës së Apelit Alaudin Malaj për ndërhyrje në procese gjyqësore ku ai akuohej të kishte qenë i interesuar personalisht. Zoti Gjoni ngriti padi ndaj kryetarit të Gjykatës për këto akuza. Ai tha se të njejtën gjë do të bëjë edhe ndaj Inspektoriatit të Deklarimit të pasurive. Muajin e shkuar inspektoriati denoncoi dhe dy gjyqtarë të tjerë lidhur me deklarimet e pasurive të tyre. Këto vendime vijnë në një kohë debatesh të ndezura lidhur me korrupsionin e lartë në sistemin gjyqësor shqiptar.

Pasuritë e fshehura nga Gjin Gjoni

1. Falsifikim i kontratës Nr.384 rep, Nr.139 kol, të dt.20.03.2007, për shitjen e 70% të kuotave të aksioneve të kapitalit të shoqërisë “ADFD” sh.p.k, të hartuar me dy vlera të ndryshme, 70.000 lekë dhe 300.000 Euro, deklarim i rremë dhe mungesë burimesh financiare për shumat e mësipërme.

2. Deklarim i rremë në lidhje me burimin e krijimit të aseteve të deklaruara për shumën 300.000 Euro, paraqitja e dokumenteve të falsifikuara dhe burim jo i ligjshëm.

3. Falsifikim i kontratave të huasë të dt.17.09.2007 në shumën 160.000 Euro, me afat 5 vjet, interes 5% (kthimi deri në Prill 2012) dhe të dt.22.04.2008 në shumën 138.888 Euro, me afat 5 vjet, interes 5% (kthimi deri në Prill 2013).

4. Deklarim i rremë dhe burim financiar jo i ligjshëm për kontratat e huasë dhënë shtetasit Werner Mehlber në shumën totale 298.888 Euro (160.000 Euro + 138.888 Euro).

5. Falsifikim të deklaratave No.2604 Reg. dhe No.2605 Reg. të datës 21.05.2010 për kthimin e shumës së huasë prej 60.000 Euro + 24.012 Euro interesa dhe 30.000 Euro + 13.896 Euro interesa nga shtetasi Ëerner Mehlber, pra gjithsej 127.908 Euro, pasi nga sistemi TIMS i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nuk rezulton që ky shtetas të ketë qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë në këto data.

6. Deklarim i rremë dhe burim financiar jo i ligjshëm për deklaratat për kthimin e huasë nga shtetasi Werner Mehlber në shumën totale 90.000 Euro principal (60.000 Euro + 30.000 Euro), dhe 37.908 Euro interesa (24.012 Euro + 13.896 Euro), gjithsej 127.908 Euro.

7. Deklarim i rremë në lidhje me kontratën e sipërmarrjes Nr.1416 Rep, Nr.167 Kol, dt.24.04.2012 të vilës rezidenciale në Farkë, tip “Champagne”, në shumën 700.000 Euro.

8. Fshehje në vitin 2010 e aktivitetit si person fizik “Bar” me NIPT L01616024T, i bashkëshortes.

9. Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “ALBCOS – Albanian Cosmetics” me NIPT L21309006C, ku shtetasja Elona Shpëtim Çaushi figuron të jetë administratore dhe ortake zotëruese e 100% të kuotave të kapitalit.

10. Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “Prestige Group” me NIPT L21309007K, ku shtetasja Elona Shpëtim Çaushi figuron të jetë ortake zotëruese e 100% të kuotave.

11. Fshehje në vitin 2010 i aktivitetit të shoqërisë “Terra Toscana Alimantari” me NIPT L02214025H, ku subjekti dhe bashkëshortja Elona Çaushi janë ortakë me nga 50% të kuotave të kapitalit.

12. Deklarim i rremë dhe burim jo i ligjshëm i shumës prej 14.000 Euro të përfituara nga shitja e automjetit të deklaruar në pronësi të vëllait.

13. Falsifikim dokumentash dhe deklarim i rremë në lidhje me burimin e blerjes me kredi të automjetit tip Benz me vlerë 62.000 Euro në vitin 2010, pasi rezulton se në dt.20.04.2010 nga ana e subjektit i është likuiduar shoqërisë “Auto Star Albania” vlera totale e automjetit, ndërsa kontrata e kredisë me Landeslease sha. është lidhur në dt.23.04.2010, pra tre ditë më vonë.

14. Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion ligjor justifikues për kontratat e blerjes të apartamentit në Tiranë me vlerë gjithsej 53.200.000 lekë, viti 2011.

15. Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion ligjor justifikues për kontratat e sipërmarjes për apartamentet në Tiranë me vlerë gjithsej 176.080 Euro, viti 2008, të cilat më pas janë zgjidhur si kontrata dhe shuma 140.000 Euro është deklaruar si burim krijimi asetesh.

16. Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion justifikues ligjor për apartamentin me vlerë 180.000 usd, viti 2010, i cili më pas deklarohet i shitur dhe shuma e mësipërme deklaruar si burim krijimi asetesh.

17. Burim financiar i dyshimtë për shpenzimet e padeklaruara për 109 dhe 127 hyrje–daljet nga territori i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht i subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij, shpenzime të cilat nga të dhënat paraprake dyshohet të jenë rreth 250.000 Euro.

18. Burim financiar i dyshimtë për të gjitha pasuritë e deklaruara në deklaratat e interesave private të subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi.

“Champagne”, supervila 1500 metër katrorë

Vila “Champagne” është konceptuar si vila më e madhe nga tri tipet e vilave, në një qendër rezidenciale në Farkë. Parcelat e përcaktuara për këtë tip vile janë mbi 1500 m². Ndër veçantitë e vilës janë pishina e brendshme opsionale dhe bodrumi me pamje dhe akses të drejtpërdrejtë në kopshtin prapa vilës. Dhoma e ndenjes ka hapësirë tejet të madhe dhe ngjitur me të është edhe dhoma e familjes, ku fëmijët mund të luajnë ose të shohin televizor, pa prishur qetesinë e vizitorëve në dhomën ngjitur të ndenjies. Sipërfaqja e dhomës bashkëshortore është afro 100 m². Një hapësirë kjo e bollshme dhe e bukur, me verandën që sheh nga kopshti prapa shtëpisë. Vila ka në total 5 dhoma gjumi, secila me banjon dhe garderobën e saj.

Gjobitet nga ILDKP-ja, zv/ministri Hila: Do ngre padi në gjykatë

Pas gjobitjes nga ana e ILDKPIK-ja, me 50 mijë lekë për mos deklarimin e pasurisë, ka reaguar edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, i cili ka theksuar se do denoncojë institucionin e kontrollit të pasurive në Gjykatë. Sipas tij, ky vendim është marrë prej tij, pasi është cënuar emri i tij. Me një deklaratë për median, Hila ka deklaruar se, është njohur nga media për gjobitjen me shumën 50 mijë lekësh. Në deklaratën e bërë nga zv/ministri Hila thuhet: “Saktësoj, se bëhet fjalë për vonesë në dorëzimin e deklarimit të pasurisë. Vonesa ka ardhur pasi ligji për të cilin ekziston ILDKP-ja, nuk hyn në ato ligje që kanë lidhje me detyrën time funksionale, të domosdoshme për t’u njohur”. “Megjithatë, - shkruan Hila - sqaroj se si Zëvëndësministër, e pranoj pagesën e gjobës për mosdijen time dhe shkeljen e afateve. Brenda dy ditëve do të depozitoj deklaratën pranë institucionit”. Sipas zv/ministri Hila deklaron se, “ILDKP-ja shkel ligjin duke publikuar emrin tim. Këtë hap mund ta ndërmarrë vetëm nëse do të refuzoja deklarimin e pasurisë edhe pas njoftimit zyrtar të vënies së gjobës. Theksoj se ende nuk kam marrë asnjë njoftimin zyrtar. Mesa duket, kohët e fundit, institucionit dhe drejtuesve të saj ju pëlqen prezenca mediatike”. “Ndërkohë, puna e tyre si institucion i pavarur është zbatimi i heshtur i ligjit. Do të ishte mirë të kuptonin se posti i tyre nuk është vendi nga ku jepen spektakle për orën e mbrëmjes”, nënvizon Hila në deklaratën e bërë.

“Emri im, nuk mund të bëhet as çimçakiz dhe as trampolinë për karrierën e kujt ka frikë të merret me abuzimet reale. Nuk mund ta lejoj, pasi është kapitali më i çmuar që kam, pavarësisht se nuk shkruhet në asnjë deklaratë pasurish. Ndaj për cënimin e nderit tim, ILDKP-ja do të përballet me mua në dyert e gjykatës”, përfundon deklaratën e tij, zv/ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat