ALUIZNI, tapi për 300 pallate

Shqipëria

ALUIZNI, tapi për 300 pallate

Më: 24 prill 2014 Në ora: 07:56

-Shoqata e Ndërtuesve kërkon që në ligjin e ri të legalizimeve të përfshihet edhe një pikë, që i jep zgjidhje hipotekimit të 300 pallateve në mbarë vendin. Propozimi i shoqatës, që u bë dje gjatë seancës dëgjimore me grupet e interesit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në lidhje me ndryshimet në ligjin për legalizimet, parashikon detyrimin ligjor, që njësitë e pushtetit vendor të përcjellin dosjet e aplikimeve që kanë drejt Agjencisë së Legalizimeve dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Banorët e 300 pallateve kanë paguar apartamentet dhe prej vitesh nuk mund të pajisen me hipotekë për shkak të vakuumit ligjor. Shoqata e Ndërtuesve bën të ditur se janë ndërtuar në vitet 2006 dhe 2007 dhe kanë marrë leje nga bashkitë për t’u ndërtuar. Shumica e ndërtimeve masive janë në kryeqytet dhe premtimi i parë i kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha ishte se do t’i jepte hipotekën çdo banori që kishte blerë apartament te pallatet pa leje shfrytëzimi, premtim që nuk u mbajt edhe pse ka mbetur rreth një vit nga skadimi i mandatit të Bashës si kryetar bashkie.

Ligji

Sipas projektligjit të ri për legalizimin e zonave informale që po diskutohet në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese parashikohet që subjektet, shoqëri ndërtuese pse investitorë, që kanë kryer shtesa anësore apo në lartësi tej lejes së ndërtimit, me qëllim kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien, paguajnë për efekt të legalizimit për llogari të ALUIZNI-t, 4 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe banimi, 5 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike dhe 10 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që është bërë ndryshim destinacioni.

Kalimi i pronësisë

Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipas draftit sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, si rregull, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit pa leje. Sipërfaqet mbi masën e përcaktuar në këtë pikë, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim. Këshilli i Ministrave miraton listën e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë. Sipas të njëjtit draft çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion social - ekonomik është ai i përcaktuar në bazë të vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Lame: Procedurat për ndërtimet mbi 5 kate

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame ka shpjeguar dje si do të veprohet për ndërtimet mbi 5 kate. “Çështja e 5 kateve, është nga çështjet më të rëndësishme të këtij ligji. Ne vetë kemi patur shumë debate të brendshme, kemi patur diskutime me grupet e interesit qoftë me shoqatën e ndërtuesve, ndërtuesit në përgjithësi apo grupet e interesit që janë pronarët në këtë çështje apo ato shoqata që janë përpjekur të grupojnë banorët e zonave informale. Thelbi i kësaj gjëje që nuk e kemi vënë ne, por është e fituar me ligjin e vitit 2006, ligji ekzistues thotë që në një truall që ka pronar dhe në të cilën ka një studim që parashikon ndërtime mbi 5 kate, legalizime i atyre që kanë ndërtuar aty nuk bëhet sepse i lind e drejta pronarit të thotë stop, trualli është i imi, studimi ka objekte të larta dhe nuk mund të legalizohet objekti që është aty. Ky është parashikimi që ka ligjit sot. Kjo ka sjellë paralizë në gjithë këtë fashë fashë ndërtimi. Pronari i truallit nuk ndërton dot se e ka të zënë, ndërtuesi nuk legalizon dot sepse ia ndalon ligji, gati-gati i kemi çuar në përballje fizike, gjë që ka ndodhur dhe në disa raste. Ne ndërhymë në këtë logjikë, duke thënë që të gjejmë rrugë të mesme, shteti të bëhet ndërmjetës. Kjo nuk bëhet duke i hequr të drejtën pronarëve të truallit as duke u thënë pronarëve të truallin, bëhet duke u bërë presion të dy palëve, duke i bërë presion pronarit të truallit që të gjejë një mënyrë me ndërtuesit për t’u dhënë sipërfaqe banimi atyre që kanë ndërtuar aty dhe duke u bërë presion atyre që kanë ndërtuar aty, me marrëveshje noteriale e me radhë, që gjeni një marrëveshje me ndërtuesit se ndryshe do mbeteni pa legalizuar. Fasha që prek kjo është rreth 13 mijë ndërtime të tilla”-shpjegoi Lame.

Subjektet që përfitojnë nga ligji i Legalizimeve

1. Ky ligj zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, pavarësisht nëse ato kanë funksion banimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, të ndërtuara dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar. Këtu përfshihen dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.

2. Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje të ngritura pas datës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin.

3. Objektet ndihmëse në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore.

4. Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private të të tretëve, kur planet e përgjithshme vendore/planet e detajuara vendore parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero.

5. Të gjitha ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3 të këtij neni, prishen sipas ligjit nr.9780, datë 6.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit”.

Gjermeni: Procedurat e reja të legalizimit dhe kompensimi i pronarëve

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni ka prezantuar ndryshimet në ligjin për legalizimet para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, ku ka vënë theksin në ndryshimet kryesore të ligjit. “Ndryshime mundësojnë zbatimin në praktikë të këtij procesi me anë të një skeme funksionale, të qartë, që do të zgjidhë një herë e përgjithmonë çështjet e legalizimeve duke ringjallur besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e shtetit. Me miratimin e këtij projekt-ligji finalizohet identifikimi i ndërtimeve pa leje, të ngritura pas përfundimit të afatit për legalizim dhe trajtimi në mënyrë përfudimtare përmes procedurave administrative-ligjore, duke minimizuar pasojat e ngritura nga ky fenomen më parë. Ne mbajtëm premtimin për ta kryer procesin e legalizimeve, falas. Ne po trokasim derë më derë tek qytetarët, jemi vënë në shërbim të tyre me ekipe te motivuara me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm për të përfunduar me sukses këtë proces. Nga fondi i kompensimit të pronarëve prej 7.9 miliardë lekë (79 milionë USD), rreth 7 miliardë lekë duhet te kishin shkuar në një llogari të vecantë të buxhetit të shtetit, për t’u përdorur eskluzivisht për kompensimin e ish-pronareve. Në fakt, vetëm një pjesë e kësaj shume rreth 4 miliardë lekë ka shkuar në destinacion, ndërsa diferenca prej 3 miliardë lekë është përdorur nga Ministria e Financave për qëllime të tjera dhe në kundërshtim me ligjin. Procesi i legalizimit kishte dështuar totalisht. Në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme janë legalizuar vetëm 7.5% e aplikimeve”-tha Gjermeni.

Ndryshimet

Sipas draftit, procedurat e legalizimit të shtëpive dhe tarifat e shërbimeve që ky proces mbart, do të jenë falas dhe në ngarkim të shtetit. Mbi të gjitha, shteti do garantojë që qytetari të mos paguajë atë, faturën më të madhe nga të gjitha, Faturën e sekserëve dhe gjobvënësve me të cilën janë përballur deri më sot. Ka ndryshuar skema e vlerësimit të trojeve, me qëllim që prona të mos ketë të njëjtin çmim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Në ligjin që pritet të miratohet parashikohet përfshirja në procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje të ngritura në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në datën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal, pavarësisht funksionit dhe faktit nëse për to është kryer vetëdeklarimi gjatë afatit të përcaktuar. Ndërsa të ardhurat e arkëtuara nga kalimi i të drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore do shkojnë 70% për fondin e kompesimit të pronave dhe 30 % buxhetit të shtetit për tu përdorur për përballimin e shpenzimeve të tarifës së shërbimit, për evidentimin në terren dhe përballimin e kostove të tjera që do dalin nga ky proces për ALUIZNI-n.

Kryekomunari i Velipojës: Legalizoni të gjitha ndërtimet

Kryetari i Komunës së Velipojës ka kërkuar që legalizimet në këtë zonë të përfshijnë ndërtimet e kryera deri në vitin 2013. Kryekomunari i Velipojës, Pashko Ujka ka kërkuar mospërjashtimin nga procesi i legalizimeve për ata që kanë ndërtuar në këtë zonë turistike, duke respektuar masterplanin e vitit 2003, por që ende nuk janë legalizuar. “Ne kemi gjithë ndërtimet në zonë pa leje. Ligji ka qenë kontradiktor dhe duhet gjetur zgjidhje për këtë zonë. Qytetarët atje kanë kryer investime në tokat e tyre edhe pas vitit 2009 dhe kjo pjesë duhet të legalizohet. Atje janë ndërtuar shtëpi dhe ndërtesa deri në vitin 2013 dhe ne mendojmë se atje duhet të legalizohet deri në këtë vit, pasi qytetarët që kanë ndërtuar e kanë patur të pamundur që të merrnin lejen dhe janë detyruar të ndërtojnë edhe pa leje. Ka objekte që janë ndërtuar në vitin 2012 dhe nuk prekin as planin urbanistik dhe nuk janë as në tokë të pronarëve as në tokë shtet. S’mund të lemë pa legalizuar këtë objekt dhe të legalizojmë një objekt që prek planin dhe është ndërtuar në vitin 2008. Janë 1200 subjekte dyqane dhe rreth 700 shtëpi që duhen legalizuar. Janë ndërtime në tokat e tyre dhe nuk kanë konflikt as me pronën dhe as me planin urbanistik”-deklaroi Ujka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat