NATO, Nishani refuzon Zaimin: Përdori gradat në shkelje të ligjit

Shqipëria

NATO, Nishani refuzon Zaimin: Përdori gradat në shkelje të ligjit

Më: 23 prill 2014 Në ora: 09:03

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, refuzon kandidaturën e Arjan Zaimit të propozuar nga qeveria në postin e shefi të zyrës së përfaqësimit të Shqipërisë në NATO. Gjeneral Arian Zaimi sipas argumentimit që mësohet të ketë dhënë kreu i shtetit, “nuk përmbush kriteret për të qenë përfaqësues ushtarak i vendit tonë në NATO”.

Burime zyrtare pranë Presidencës bënë dje me dije për mediat se “shkak për këtë vendim ka qenë fakti se Arian Zaimi i ka përdorur gradat në kundërshtim me ligjin”. Sipas të njëjtave burime, kreu i shtetit “nuk e ka gjetur kandidaturën e Zaimit, në përputhje me standardet që kërkon Presidenti për Shefin e Zyrës së përfaqësimit të Shqipërisë në NATO”. Gjithashtu, në motivacionin e tij për të mos aprovuar kandidatin e propozuar nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, presidenti ka pasur para sysh edhe përdorimin e gradave në kundërshtim me ligjin nga Arjan Zaimi.

Fakt i ngjashëm ky, për të cilin u akuzua dhe vetë ish-kreu i misionit ushtarak në NATO, Admiral Kristaq Gërveni nga ministrja e Mbrojtjes, e cila madje kërkoi shkarkimin e tij dhe kthimin e menjëhershëm në atdhe. Zaimi, një gjeneral në pension, sipas edhe këtyre pamjeve ka përdorur uniformen ushtarake të gjeneralit, në të paktën dy ceremoni publike. E fundit ishte ajo për 5-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në NATO, pavarësisht se me dekret të presidentit ai ka dalë në lirim para disa viteve. Arjan Zaimi aktualisht është këshilltar ushtarak i ministres se Mbrojtjes. Ai ka shërbyer edhe më parë për gati 10 vjet si shef i misionit ushtarak në NATO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat