Zyrtarët në fillim mashtrojnë milionat i "vjedhin" më pas

Shqipëria

Zyrtarët në fillim mashtrojnë milionat i "vjedhin" më pas

Më: 23 prill 2014 Në ora: 08:49

Komisioni i Ligjeve miratoi dje vendimin për ndryshimin e ligjit për ILDKP-në, ku të drejtën për të emëruar kreun e institucionit tanimë e ka Kuvendi. Deputetët e opozitës bojkotuan mbledhjen, por debati brenda koalicionit nuk mungoi, ku LSI doli kundër një propozimi të PS-së.

Debati
Debati ndërmjet LSI-PS u zhvillua për shkak të tavanit të vendosur për të depozituar paratë e zyrtarëve të lartë në bankë. Konkretisht, sipas këtij propozimi, zyrtarët e lartë ose të mesëm, drejtues që bëjnë deklaratën e parë të pasurisë dhe rezulton se kanë mbi 1.5 milion lekë, këto para duhet t’i depozitojnë në bankë. Ky propozim u mbështet edhe nga vetë kreu i ILDKP-së i cili theksoi se nga studimi i bërë, shuma e parave, të zyrtarëve që kanë bërë deklarimin e parë shkon në 60 milion euro. Por kësaj deklarate i doli kundër LSI, e cila nëpërmjet kryetarit të grupit të saj parlamentar, Petrit Vasili doli tërësisht kundër këtij propozimi.

“Po ça ndeshje po lozim ne. Ça është kjo 1.5, 2 apo 3. Nëse nuk është depozituar në komision ky studim, unë e konsideroj të paqenë dhe të panevojshëm. Ne kemi premisa e administromjë vetëm të korruptuar. Ai mund t’i ketë bërë paratë në emigracion”,- theksoi Vasili. Por propozimit të mazhorancës i doli në mbrojtje Pandeli Majko, i cili vijoi me akuzat për korrupsionin në sistemin doganor dhe në tatime. “Në Shqipëri ka individë që nuk i kanë aq para, por i deklarojnë.

Ne themi ujku ujku, çakalli bën kërdinë. Zyrtari doganor apo tatimor, deklaron se ka 1 milion dollarë po nuk i ka, pasi i bën nga puna e devotshme. Ajo që tha zoti Ganaj se janë 60 milion euro deklarime të para tek zyrtarët është e paimagjinueshme”,- theksoi Majko. Pjesë e debatit u bë edhe kreu i ILDKP-së i cili theksoi se propozimi i bërë është i domosdoshëm, pasi sipas tij, zyrtarët deklarojnë shuma të rrema dhe më pas i përfitojnë nëpërmjet korrupsionit.

“Bëhet se është anomrale që zyrtari në deklarimin e parë të thotë se ka 400-500 milion poshtë jastëkut”,- tha Ganaj. Por në momentin kur ky propozim u hodh në votim, deputetët e LSI-së, së bashku me Mark Frrokun dhe Nard Ndokën votuan kundër, pasi sipas tyre është i panevojshëm. Kësisoj, ky draft i cili do të jetë ditën e enjte në seancë plenare, pritet që të hasë kundërshti nga aleati kryesor i PS-së, pa të cilin nuk e miraton dot këtë propozim të tyre.

Ndryshimet në Kushtetutë
Mazhoranca është e gatshme për të bërë ndryshime në Kushtetutë. Deputeti i PS-së Armando Subashi theksoi dje në mbledhje të komisionit, se mazhoranca është e gatshme për të bërë ndërhyrje në Kushtetutë. Kjo deklaratë e tij u bë në momentin kur po diskutohej kalimi i kompetencave nga presidenti tek Kuvendi për propozimin e kreut të ILDKP-së. Sipas Subashit, në Kushtetutë nuk është e parashikuar që kreun e ILDKP-së ta propozojë presidenti dhe nëse opozita kërkon ndryshime në Kushtetutë, PS është mëse e gatshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat